Prokuroria Themelore e Pejës, ka ngritur aktakuzë për veprën penale “Pastrim i parave”.
Klankosova.tv mëson se aktakuza është ngritur ndaj ish-komandantit të UÇK-së Azem Veselit.
Sipas aktakuzës, A.V. më 26 shtator 2019 në Pejë, duke qenë në dijeni se pasuria e caktuar buron nga aktivitet kriminal, ka transferuar mjete financiare me qëllim të fshehjes apo maskimit të natyrës dhe burimit të tyre.
"Ai dyshohet se ka deponuar në bankë shumën prej 50 mijë euro, duke e paraqitur atë kinse si të ardhur nga shitja e një shtëpie, si dhe ka marrë kredi bankare në vlerë prej 20 mijë euro. Sipas prokurorisë, të gjitha mjetet në shumën totale prej 70 mijë euro janë transferuar në dy llogari bankare të personave me inicialet A.Ll., me të cilët i pandehuri ka lidhur kontratë. Megjithatë, sipas aktakuzës, A.V. në fakt nuk ka pranuar asnjë të hyrë nga shitja e pretenduar e shtëpisë", thuhet në njoftim transmeton Klankosova.tv.
"Me këto veprime, sipas organit të akuzës, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprës penale të “Pastrimit të parave”. Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale që i vihet në barrë", thuhet tutje në njoftim.
Ndryshe, Veseli ishte shpallur fajtor dhe dënuar më herët për veprën penale "Fajdeja".
Shënim: Personi/personat e përmendur në këtë artikull, prezumohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.
●●●
ASHKRIMI NGA
albert
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.