Një person ka humbur jetën, ndërsa një tjetër ka pësuar lëndime të rënda si pasojë e një aksidenti që ndodhi të enjten në mbrëmje në autostradën A555, në drejtim të Këlnit.
Sipas autoriteteve, aksidenti ndodhi rreth orës 22:01, mes daljeve Bornheim dhe Wesseling. Për arsye që ende nuk janë sqaruar, një veturë doli nga rruga, theu barrierën mbrojtëse dhe u përplas në një pemë, raportojnë
mediat gjermane, transmeton Klankosova.tv.
Përplasja ishte aq e fuqishme sa vetura e tipit Lamborghin u copëtua në disa pjesë, ndërsa disa fragmente të tij u përfshinë nga flakët.
Sipas raportimeve, dy personat që ndodheshin në automjet u hodhën jashtë si pasojë e goditjes. Njëri prej tyre pësoi lëndime fatale. Ekipet e emergjencës nisën menjëherë reanimimin, por nuk arritën t’ia shpëtonin jetën. Viktima ndërroi jetë në vendin e ngjarjes.
Personi tjetër u plagos rëndë dhe, pas ndihmës së parë nga mjekët emergjentë, u transportua në një spital në Bon.
Zjarrfikësit ndërhynë për të shuar zjarrin që kishte përfshirë pjesët e automjetit dhe ndihmuan ekipet mjekësore në operacionin e shpëtimit. Ata gjithashtu ndriçuan zonën e aksidentit për të mundësuar hetimet e policisë.
Gjatë bllokimit të trafikut të shkaktuar nga aksidenti, në kolonën e automjeteve ndodhi edhe një rast urgjent shëndetësor i natyrës internistike. Për këtë u angazhuan ekipe shtesë të ndihmës së shpejtë, ndërsa zjarrfikësit siguruan zonën për ofrimin e ndihmës mjekësore.
Policia gjermane ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit tragjik.