03.12.2015 · përditësuar para 3894 dite1 min lexim
Arlind Ajeti, mbrojtësi 21-vjeçar, i cili firmosi me Frosinonen në fund të Nëntorit i këshilluar nga trajneri i Shqipërisë, Gianni De Biasi, mund të debutojë te skuadra italiane që këtë fundjavë ndaj Chievos në kuadër të javës së 15-të.
Orët e fundit ka mbërritur nga Federata Zvicerane e Futbollit kartoni i mbrojtësit shqiptar, që e shndërron me të gjitha efektet futbollist të Frossinones.
Trajneri Roberto Stellone, kishte parashikuar aktivizimin e Ajetit që në përballjen e fituar në shtëpi me Veronën, por për shkaqe proceduriale që kishin të bënin me transferimin e kartonit të futbollistit, debutimi i lojtarit në Serinë A u shty për javët pasardhëse.
Arlind Ajeti ka qenë pjesë e Baselit deri në fund sezonit 2014-2015, më pas mbeti futbollist i lirë, pasi nuk arriti marrëveshjen me kampionët e Zvicrës për rinovimin e kontratës.
Gjatë merkatos së verës, futbollisti i Kombëtares Shqiptare nuk firmosi për asnjë skuadër, derisa në Nëntor gjeti gjuhën e përbashkët me Frossinonen.
Gjithsesi gjatë kësaj periudhë është grumbulluar rregullisht nga Gianni De Biasi në Kombëtare, madje duke qenë një nga pikat e forta në mbrojtjen kuqezi në kualifikim historik në finalet e “Francë 2016″.
●●●
Shpërndaje këtë artikull
K
SHKRIMI NGA
KLANKOSOVA
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.