Lajmet e fundit

Ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, Mimoza Ahmetaj, ka vlerësuar se Kosova ndodhet në një moment kyç politik, të cilin nuk duhet ta humbasë në raport me dialogun me Serbinë dhe Bashkimin Evropian.
E ftuar në emisionin “Info Magazine”, Ahmetaj tha se koha aktuale është veçanërisht e rëndësishme për shkak të pozitës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe zhvillimeve politike në Serbi.
Një moment shumë i rëndësishëm që mendoj se Kosova nuk duhet ta humbasë është kjo periudhë derisa Vuçiq është në pushtet. Pse po e them këtë? Sepse atje janë paralajmëruar zgjedhje të parakohshme dhe ne duhet ta shfrytëzojmë Vuçiqin, i cili është aktor i të gjitha proceseve që kanë nisur që nga ish-Jugosllavia, me luftërat dhe me çështjen e dialogut. Duhet ta shfrytëzojmë pozitën e tij tani, kur ai është më i dëmtuar dhe më i lënduar politikisht se asnjëherë më parë, dhe derisa është ende në zyrë të arrijmë një marrëveshje finale. Sepse çdo rrethanë tjetër e mundshme në Beograd mund të përkthehet në prolongim të proceseve sa i përket arritjes së një marrëveshjeje finale me Kosovën", tha ajo.
Ajo po ashtu foli mbi rëndësinë e shfrytëzimit të strukturës aktuale të Bashkimit Evropian në Bruksel, duke paralajmëruar se në shumë shtete anëtare po rriten rrymat anti-BE dhe kundër zgjerimit.
"Momenti tjetër i rëndësishëm është që ta shfrytëzojmë strukturën aktuale të Bashkimit Evropian në Bruksel, sepse të gjitha trendet dhe analizat nga Brukseli tregojnë se në shtetet anëtare janë duke u rritur rrymat anti-BE dhe anti-zgjerim. Derisa e kemi këtë strukturë deri në vitin 2029, Kosova duhet të bëjë gjithçka që në këtë mandat ta përmbyllë ciklin e dialogut dhe, njëherë e përgjithmonë, ta mbyllë këtë kapitull të hapur dhe të ecë tutje në konsolidimin e shtetit”, tha Ahmetaj. /Klankosova.tv