Ylli i popit Dua Lipa i është bashkuar thirrjeve për një armëpushim në luftën Izrael-Hamas, por një version i edituar i një deklarate që ajo bëri për konfliktin po qarkullon në internet. Postimet mashtruese në rrjetet sociale lënë jashtë komentet nga këngëtarja që shpreh solidaritet me viktimat në Izrael, si dhe në Gaza.
“DUA LIPA qëndron me PALESTINËN! ‘Çdo ditë që kalon, zemra ime dhemb për popullin e Palestinës. Dhimbje teksa shoh vuajtjet e paprecedentë në Gaza, ku 2.2 milionë shpirtra, gjysma e tyre fëmijë, përjetojnë vështirësi të paimagjinueshme", thotë një postim i datës 12 dhjetor 2023, në platformën X, shkruan “
AFPFactCheck”, raporton Klankosova.tv.
Ky postim u shpërnda nga Jackson Hinkle, një influencer konservator që ka përhapur vazhdimisht dezinformata rreth luftës Izrael-Hamas. Hinkle gjithashtu postoi pretendimin edhe në Facebook.
Pretendimi u përhap pasi Izraeli paralajmëroi se lufta e tij me Hamasin do të zgjasë “shumë muaj të tjerë”. Konflikti shpërtheu kur persona të armatosur të Hamasit sulmuan Izraelin jugor, duke rezultuar në vdekjen e rreth 1,140 personave, kryesisht civilë, sipas një raporti të AFP-së bazuar në shifrat izraelite. Militantët palestinezë morën gjithashtu rreth 250 pengje, 129 prej të cilëve mbeten në robëri, thotë Izraeli.
Përgjigja e Izraelit – një bombardim dhe rrethim i pamëshirshëm i Gazës – ka vrarë të paktën 21,110 njerëz, sipas shifrave të fundit të publikuara nga ministria e shëndetësisë e Gazës, rreth dy të tretat e tyre gra dhe fëmijë.
Lipa ka shprehur rregullisht mbështetje për të drejtat e njeriut të palestinezëve dhe është kritikuar për këtë. Në vitin 2021, ajo dhe motrat supermodele Bella dhe Gigi Hadid u akuzuan për antisemitizëm në një reklamë të madhe në “The New York Times” nga rabini Shmuley Boteach.
Këngëtarja britanike me rrënjë nga Kosova i është përgjigjur fushatës në një storie në Instagram, duke i quajtur ato “keqinterpretime flagrante se kush jam dhe çfarë përfaqësoj. Unë solidarizohem me të gjithë njerëzit e shtypur dhe hedh poshtë të gjitha format e racizmit”.
Në tetor 2023, Lipa iu bashkua të famshëmve të tjerë në nënshkrimin e një letre drejtuar presidentit amerikan Joe Biden, duke i kërkuar atij që të bënte thirrje për një armëpushim në luftë.
Por citati i përhapur nga Hinkle keqinterpreton një postim nga Lipa. Kërkimet e fjalëve kyçe çojnë në artikuj lajmesh nga tetori duke cituar një “story” në Instagram ku Lipa inkurajoi njerëzit të dhurojnë për Fondin e Ndihmës së Fëmijëve në Palestinë.
“Screenshot”-at e postimit thonë: “Çdo ditë që kalon, zemra ime dhemb për popullin e Izraelit dhe Palestinës. Dhimbje për jetët e humbura në sulmet e tmerrshme në Izrael. Dhimbje teksa shoh vuajtjet e paprecedentë në Gaza, ku 2.2 milionë shpirtrat, gjysma prej tyre fëmijë, vuajnë vështirësi të paimagjinueshme”.
“Story” i Instagramit ku duket se e ka origjinën citati nuk është më në dispozicion në llogarinë zyrtare të Lipës, por llogaritë e fansave kapën gjithashtu pamje nga ekrani të postimit.
AFP kontaktoi përfaqësuesin e Lipës për koment, por nuk kishte përgjigje. /Klankosova.tv
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek prive dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.