Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në shtetin amerikan të Wisconsin. Një 17-vjeçar, Nikita Casap, është akuzuar për vrasjen e nënës së tij dhe njerkut, në atë që autoritetet e kanë cilësuar si pjesë të një plani më të gjerë për të vrarë ish-presidentin amerikan, Donald Trump.
FBI ka bërë të ditur se ngjarja ndodhi më 28 shkurt, kur trupat e pajetë të Tatiana Casap, 35 vjeçe, dhe Donald Mayer, 51 vjeç, u gjetën në shtëpinë e tyre në fshatin Waukesha, afër qytetit Milwaukee. Hetimet nisën pasi djali nuk kishte shkuar në shkollë për rreth dy javë.
Sipas dokumenteve gjyqësore, Nikita dyshohet se ka qëlluar me armë njerkun në kokë dhe më pas ka vrarë nënën me disa të shtëna, më 11 shkurt ose rreth kësaj date.
Në telefonin e tij janë gjetur materiale që lidhen me grupe neo-naziste, lavdërime për Adolf Hitlerin dhe plane për të vrarë Trumpin si pjesë e një komploti për të përmbysur qeverinë amerikane. Gjithashtu, janë zbuluar shkrime me përmbajtje antisemite dhe thirrje për revolucion politik.
Casap u ndal nga policia në Kansas, më 28 shkurt, ndërsa ishte duke udhëtuar me makinën e njerkut të tij. Në automjet u gjetën një armë zjarri, katër karta krediti që i përkisnin viktimave, bizhuteri të çmuara, një kasafortë e hapur dhe 14,000 dollarë – shumica e të cilëve ishin fshehur brenda një Bible.
Hetuesit thonë se vrasjet ishin një përpjekje për të siguruar mjete financiare dhe pavarësi për të realizuar planin ekstrem. Sipas tyre, adoleshenti kishte porositur një dron dhe eksploziv, dhe kishte ndërmend të arratisej në Ukrainë.
Po ashtu, dokumentet tregojnë se ai kishte komunikuar me persona në Rusi për planet e tij dhe kishte diskutuar për eliminimin e prindërve.
Nikita Casap përballet me disa akuza penale, përfshirë vrasje të shkallës së parë dhe fshehje të kufomës. Ai u paraqit në një seancë paraprake më 9 prill dhe pritet të dalë sërish para gjykatës më 7 maj, ku do t’i komunikohet zyrtarisht aktakuza./Klankosova.tv
●●●
VRSHKRIMI NGA
Ve Ra
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.