Kreu i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka shkruar lidhur me 9 vjetorin e anëtarësimit të Kosovës në UEFA.
Ai shkroi se 3 maji i vitit 2016 ishte një datë historike për Kosovën, pas një rruge të mbushur me sfida.
"3 maji i vitit 2016 është një datë që përjetësisht do të mbetet e gdhendur në historinë tonë kombëtare. Sot bëhen plot nëntë vjet prej ku ëndrra e kamotshme e futbollit kosovar u bë realitet – kur Kosova u pranua si anëtarja më e re e UEFA-s, në Kongresin e 40-të të saj të mbajtur në Budapest. Ishte një moment historik, që shënoi jo vetëm fitoren për sportin tonë, por për gjithë popullin e Kosovës. Pas një rruge të gjatë, të mbushur me sfida, sakrifica e qëndresë, Kosova më në fund mori vendin që e meritonte – me dinjitet, me guxim dhe me të drejtën legjitime që i takonte".
Ademi shtoi se që nga ajo ditë e artë, futbolli ynë ka kaluar nëpër një proces të thellë transformimi. Klubet tona garojnë me krenari në arenën ndërkombëtare, ndërsa ekipet kombëtare janë forcuar dhe vazhdojnë të ndjekin ëndrrën e madhe të pjesëmarrjes në finalet e Kampionatit Evropian dhe Kupës së Botës.
"Një nga arritjet më të mëdha në këtë rrugëtim është ngjitja e Kombëtares së Kosovës në Ligën B të Ligës së Kombeve, sukses ky që flet vetë për rritjen dhe ambiciet tona. Nga debutimi në Ligën D më 2013, Kosova u ngjit në Ligën C, ku garoi me dinjitet për tre edicione radhazi dhe tashmë është pjesë e një niveli më të lartë të futbollit evropian. Një tjetër arritje është vendi i 97-të në renditjen e FIFA-s, pozita më e lartë ndonjëherë për futbollin tonë, që dëshmon përparimin e pandashëm në çdo aspekt", shkroi ai.
Ndërkaq, Ademi theksoi se janë ngritur standardet, infrastruktura është përmirësuar dhe futbolli është shndërruar në një aset kombëtar që frymëzon një popull të tërë.
"Në krejt këtë rrugëtim, një vend i veçantë i takon Fadil Vokrrit – legjendës sonë të pavdekshme. Me lidershipin e tij ai ishte në krye të misionit historik për anëtarësimin e Kosovës në UEFA. Ky përvjetor i nëntë është edhe një nderim për Legjendën, që me krenari e barti numrin 9 në fanellën e tij gjatë gjithë karrierës si futbollist. E derisa kujtojmë të kaluarën me mirënjohje e krenari, shikojmë drejt së ardhmes me më shumë vendosmëri se kurrë më parë", thuhet tutje në njoftimin për media. /Klankosova.tv
●●●
VZSHKRIMI NGA
Vanesa Zhugolli
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.