Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku pas mbledhjes së kryesisë së këtij subjekti politik, tha se as ai, e as zyrtarë të autorizuar të kësaj partie, nuk kanë komunikuar me asnjë parti tjetër politike, sa i përket bërjes së qeverisë së ardhshme.
Ai thotë po ashtu se LDK-ja nuk mund të jetë pjesë e një qeverie vetëm për gjashtë apo shtatë muaj, transmeton Klankosova.tv.
"Unë, dhe askush nga njerëzit e autorizuar të LDK-së nuk ka pasur asnjë kontakt, me asnjërën prej partive politike në nivel të komunikimit zyrtar. Kemi pasur komunikim të urimeve paszgjedhore, që janë normale, por jo komunikim zyrtar për qeverisjen e ardhme. Kjo për arsye bazike, e para, sepse të parit i takon afati kushtetues dhe të tjerët s'kanë se çfarë kërkojnë në këtë afat, e dyta, ne nuk besojmë në një qeveri që ka afat të shkurtës. Nuk mund të jemi pjesë e një qeverie për gjashtë muajt e ardhshëm, shtatë muajt e ardhshme. Nuk kemi interesa të pozicioneve këtu".
Ai thotë se nuk guxohet që të përsëriten katër vjetët e fundit, edhe në katër vitet e ardhshme.
Abdixhiku po ashtu shtoi se insiston në rrugën që duhet ndjekur LDK-ja, e që thotë se e udhëheq me dinjitet e përgjegjësi.
"Insistoj në rrugën që duhet ta ndjekim si parti politike, dhe për këtë kam mbështetjen e plotë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilën e udhëheq me plot përgjegjësi dhe dinjitet".
●●●
AHSHKRIMI NGA
Albina Haxholli
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.