Kinemaja ABC ka mbushur 16 vjet me uljet dhe ngritjet që ka pasur. Në këtë kohë kur kinemaja ka ditëlindjen, ky institucion kanë numëruar të arriturat dhe vështirësitë që kanë pasur gjatë këtyre viteve.
Kjo është komunikata e plotë e KINO-s ABC.
Ky është viti i 16-të që vazhdojmë të jemi së bashku; në uljet dhe ngritjet e përbashkëta, nëpër sukseset dhe rëniet tona, me vizionin e qartë për një mjedis që ofron më shumë ngrohtësi për artdashësin, për kineastin, për të gjithë ata që KINO ABC-në e ndjejnë si shtëpinë e tyre.
Nga shiriti filmik prej vitesh kemi kaluar në një sistem digjital, që ka ofruar më shumë mundësi, më shumë përparësi dhe gjithsesi ka krijuar një lidhje më të fortë e me të drejtpërdrejtë me të gjithë artdashësit.
Kinemaja ABC sot ka një llojllojshmëri tematikash të përzgjedhura të filmave: për më të vegjlit, për fëmijët që krijojnë kulturën e shijimit të artit filmik por edhe për të gjithë ata që e duan filmin dhe që duan të jenë pjesë e pandashme e botës.
Kemi ndërtuar lidhje me shumë distributorë në botë, për ta sjellë filmin në kohë dhe pa pengesa, kurdo që ai të shfaqet në cilëndo kinema të botës, për ta përmbushur kërkesën, nevojën e dëshirën e secilit prej jush. Por natyrisht duke ruajtur me xhelozi standardin e përcaktuar dhe nivelin profesional.
Ne nuk jemi të paprekur nga fenomenet e piraterisë, sado që ligjet në vend janë miratuar dhe fillimisht qenë zbatuar. Dhe kjo po i dëmton përpjekjet tona për të ndërtuar një institucion të fortë të kulturës, ku njerëzit do të ndjehen pjesë të shtëpisë dhe ku secili do të ketë mundësinë ta thotë fjalën e tij. Ne nuk kemi fuqi ta luftojmë të keqen vet; nuk kemi aspak forcë ta mbrojmë vlerën nga jo-vlera dhe më së paku kemi mundësi që vetë ta fitojmë betejën në raport me piraterinë. Neve na duhet përpjekje e bashkërenduar e të gjitha institucioneve për t’i dhënë fund një dukurie që nuk e dëmton vetëm funksionimin e kinemasë por godet vlerën e mirëfilltë të filmit.
Do të vazhdojmë të jemi në shërbim të të gjithë qytetarëve dhe te gjithë atyre që duan të jenë më afër artit filmik.
Për çdo vit, që prej fillimit të punës, miq të dashur ju kemi uruar, sepse secili përvjetor yni ka qenë pjesë e juaja dhe sepse ne e kemi ndarë atë së bashku me ju.
Urime edhe këtë 16 vjetor. Do të jemi gjithnjë së bashku!
●●●
ABSHKRIMI NGA
A. BA
Editorial nga Klan Kosova — ndjek kulturë dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.