Lajmet e fundit

Banorët e fshatit Zajm janë duke ngritur dyshime se pronat e tyre janë ndryshuar nga persona të tjerë, edhe pse procedurat për përkthimin e tokave nga pronarët serbë janë nisur vite më parë.
Njëri prej banorëve i kishte thënë emisionit Kiks të Klan Kosovës se 8 muaj më parë kishte dorëzuar dokumente në betim tek noteri Granit Gërvalla, e kjo me qëllim që t’i nisë procedurat e përkthimit të pronës në emër të tij.
Sipas të njëjtit, në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, te po i njëjti noter, pronari aktual i pronës së tij, procedurën e blerjes së tokës e ka nisur Muharrem Berisha, po ashtu tek i njëjti noter.
Për të sqaruar këtë situatë, Kiks Kosova kontaktoi noterin Gërvalla.
Ai e ka konfirmuar se deklaratat nën betim janë dhënë në zyrën e tij, por thekson se ato janë përdorur vetëm për procedura administrative dhe jo si vendimmarrje përfundimtare për pronën.
“Procedura për bartjen apo përkthimin e pronësisë ka qenë duke u zhvilluar pranë Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës dhe nuk është realizuar para meje si noter. Deklaratat nën betim përbëjnë deklarata të njëanshme të vullnetit të palës, të cilat noteri vetëm i vërteton dhe i merr nën betim nga pala deklaruese. Theksoj se me anë të deklaratave nën betim nuk mund të bëhet ndryshimi apo bartja e pronësisë pranë noterit.”
Sa i përket pretendimeve për nënshkrimin e kontratave të shitblerjes për parcela në fshatin Zajmë, noteri Granit Gërvalla thotë se në zyrën e tij çdo kontratë është përpiluar vetëm pasi është siguruar dokumentacioni i plotë dhe i rregullt ligjor, ashtu siç e kërkon legjislacioni në fuqi.
“Dokumentacioni për çdo kontratë të përpiluar në zyrën time ka qenë i plotë dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi… Ne si noterë nuk kemi kompetencë ligjore apo detyrim për të verifikuar në terren se kush i shfrytëzon parcelat, pasi pronësia vërtetohet vetëm përmes fletës poseduese dhe dokumentacionit pronësor.”
Kiks-i u interesua të dijë se deri më tani si ka vepruar Gjykata Themelore e Pejës, lidhur me banorët e fshatit Zajm të Klinës, por deri në publikimin e kronikës nuk kanë kthyer përgjigje.