Lajmet e fundit

Në 24 komuna të Kosovës, për nxënësit ofrojnë ndihmë vetëm 225 psikologë.
Ndonëse ky numër nuk është aq i ulët, sipas drejtoreshës së Shoqatës së Psikologëve Shkollorë të Kosovës, Nora Ismaili - Shehu, më shumë duhet kontribuar në zhvillimin profesional të psikologëve, raporton Kiks Kosova.
Sipas një Udhëzimi Administrativ, një shërbyes profesional punësohet në institucione edukative arsimore nëse institucioni ka mbi 1 mijë nxënës. Por sipas Ismaili-Shehut, kjo do të duhej të ndryshonte sepse punën e psikologut shkollor nuk e përcakton numri i nxënësve, por dinamika e punës.
Një tjetër problematikë, sipas psikologes, është fakti që sipas udhëzimeve administrative, në shkollat e vendit duhet të punësohen vetëm psikologë shkollorë e jo drejtime të tjera.
Për herë të parë, psikologë shkollorë u punësuan tek në vitin 2007. E që nga atëherë, sipas Ismaili - Shehut, ka pasur përmirësime të dukshme në fushën e psikologjisë shkollore. /Klankosova.tv