Lajmet e fundit

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, ka folur rreth situatës së krijuar në vend dhe rajon, në përballje me pandeminë e koronavirusit. Kosnett theksoi se mbetet akoma shumë për të bërë në Kosovë, ashtu edhe në SHBA, për të mposhtur COVID‑19, ndërsa në mbarë botën po bëhet e vështirë gjetja e një ekuilibri të duhur për zgjidhjen e këtij problemi shëndetësor publik dhe mbajtjes në të njëjtën kohë të ekonomisë në lëvizje.
Nuk është e lehtë. Unë do t'u bëj thirrje qytetarëve të marrin masa që janë nën kontrollin e tyre personal në mënyrë që të përpiqen të luftojnë virusin. Vishni maska, ruani distancat shoqërore, lani duart.
Ai shtoi se nuk ka pse të kushtojë shumë para, por është me të vërtetë e rëndësishme për ne ta mposhtim virusin.
Tutje ai në një intervistë për KIM, përmendi ndihmat që SHBA i ofroi Kosovës gjatë kësaj periudhe përballjeje me koronavirusin.
Ne gjithashtu u këshilluam me ekspertë amerikanë të cilët folën me kolegë të Kosovës. Njerëzit nga ambasada kanë qenë në kontakt të ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe ministri të tjera që nga fillimi.
Administrata Biden ka deklaruar se, ndërsa numri i vaksinave në dispozicion në SHBA po rritet, do të kërkojë mundësi për t'i ndarë ato me miqtë. Kosnett shprehu shpresën se shkëmbimet ndërkombëtare të vaksinave, deri më tani bazuar në transaksione tregtare, do të zgjerohen përmes strukturës ndërkombëtare KOVAKS. Ai theksoi se kjo përputhet me qasjen e administratës së Biden për veprim, bashkëpunim më të ngushtë dhe konsultim me partnerë ndërkombëtarë.
●●●