Lajmet e fundit

Tetë fëmijë dhe një i rritur kanë vdekur pasi kishin konsumuar mish breshkash detare në ishullin Pemaba në Zanzibar. 78 persona të tjerë janë shtruar në spital, thanë autoritetet.
Mishi i breshkave të detit konsiderohet një delikatesë nga njerëzit e Zanzibarit edhe pse periodikisht rezulton në vdekje nga kelonitoksizmi, një lloj helmimi ushqimor, transmeton Klankosova.tv.
E rritura që vdiq të premten vonë ishte nëna e një prej fëmijëve të cilët kishin vdekur më herët. Sipas mjekut Haji Bakari, mishi i breshkës ishte konsumuar të martën.
Bakari i tha Associated Press se testet laboratorike kishin konfirmuar që të gjitha viktimat kishin ngrënë mish breshkash detare.
Autoritetet në Zanzibar, i cili është një rajon gjysmë autonom i kombit të Afrikës Lindore të Tanzanisë, dërguan një ekip të menaxhimit të fatkeqësive të udhëhequr nga Hamza Hassan Juma, i cili u bëri thirrje njerëzve të shmangin konsumimin e breshkave të detit.
Në nëntor të vitit 2021, shtatë persona, përfshirë një trevjeçar, vdiqën në Pemba pasi hëngrën mish breshke ndërsa tre të tjerë u shtruan në spital.