Sot janë bërë 61 vjet prej kur është themeluar Fakulteti Filozofik në Universitetin e Prishtinës "Hasan Prishtinës".
Fakulteti Filozofik ishte fakulteti i parë në Kosovë, dhjetë vjet para themelimit të vetë Universitetit të Prishtinës.
Ky institucion fillimisht përbëhej nga katedrat e Albanologjisë, Matematikës, Biologjisë, Fizikës, Kimisë, Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe dhe Gjuhës e Letërsisë Serbokroate, para se më 1961 të hapeshin edhe katedrat e Gjuhës dhe Letërsisë Angleze dhe Gjuhës dhe Letërsisë Ruse. Një vit më pas, atij iu shtuan edhe katedrat e Historisë, Gjeografisë dhe Pedagogjisë.
Më 1971 u hap katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Frënge, ndërsa e Orientalistikës dy vjet më pas. Në vitin e parë (1960/61) u regjistruan 97 studentë të rregullt dhe 141 me korrespondencë, prej të cilëve në vitin 1963/64 diplomuan 26 studentët e parë. Më 1971, një vit pas themelimit të universitetit, katedrat e shkencave natyrore u ndanë, duke formuar Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore. Më 1972, u hap edhe katedra e Filozofisë-Sociologjisë. Më 1989, katedrat e gjuhëve u ndanë më vete, duke themeluar Fakultetin e Filologjisë.
Në vitin 2001, Fakultetit Filozofik iu shtuan edhe 3 departamente të reja: Departamenti i Etnologjisë (i cili më pas do të quhet Departamenti i Antropologjisë), Departamenti i Psikologjisë dhe Departamenti i Shkencës Politike. Në vitin 2012 filloi funksionimin Departamenti i Punës Sociale, i cili u ndërtua mbi bazën e Drejtimit të Pedagogjisë Sociale. Në vitin 2013 me kërkesë të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Departamenti i Pedagogjisë u transferua në kuadër të Fakultetit të Edukimit, transmeton Klankosova.tv.
●●●
LGSHKRIMI NGA
L. Ga.
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.