Një grua 45-vjeçare, Hakyung Lee, është shpallur fajtore për vrasjen e dy fëmijëve të saj të mitur nga një gjykatë në Zelandën e Re. Trupat e tyre u mbajtën të fshehur në valixhe për disa vite, deri kur u zbuluan rastësisht në vitin 2022.
Vendimi u dha të martën nga Gjykata e Lartë në Auckland, ku juria mori vetëm dy orë kohë për të arritur në një vendim, duke refuzuar pretendimin e mbrojtjes për çrregullime mendore.
Sipas hetimeve, Lee i vrau fëmijët e saj, djalin 6 vjeçar, Minu Jo, dhe vajzën 8 vjeçare, Yuna Jo, në qershor të vitit 2018, vetëm pak muaj pasi bashkëshorti i saj kishte ndërruar jetë nga kanceri, raporton AlJazeera, transmeton Klankosova.tv.
Pas krimit, ajo i vendosi trupat e fëmijëve në valixhe dhe i ruajti ato në një depo të marrë me qira. Më vonë, pasi ndaloi pagesën për depozitën për shkak të vështirësive financiare, hapësira u nxorr në ankand dhe blerësi i saj zbuloi trupat e fëmijëve brenda valixheve.
Pas vrasjes, Lee u largua nga Zelanda e Re dhe shkoi në Korenë e Jugut, ku edhe ndryshoi emrin për të shmangur drejtësinë. Ajo u identifikua dhe u arrestua pas zbulimit të valixheve dhe më pas u ekstradua në Zelandën e Re në nëntor 2022.
Gjykatësi Geoffrey Venning urdhëroi që Lee të qëndrojë në paraburgim deri në shpalljen e dënimit më 26 nëntor 2025. Në Zelandën e Re, vrasja dënohet me burgim të përjetshëm, me një minimum prej 10 vitesh paraburgim para se të mund të kërkohet lirimi me kusht.
Gjatë shpalljes së vendimit, Lee qëndroi në heshtje, me kokën ulur dhe fytyrën e mbuluar me flokë, sipas raportimeve të mediave lokale.
●●●
SZSHKRIMI NGA
Sh Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.