23.50| Paralajmëron Drejtoria Detare në Shqipëri: Pas mesnate përkeqësohet moti në të gjithë bregdetin
Drejtoria e Përgjithshme Detare në Shqipëri, me anë të një njoftimi në rrjetet sociale, paralajmëron përkeqësim të motit duke nisur nga ora 01:00 e së hënës, në të gjithë bregdetin shqiptar. Sipas njoftimit, kjo situatë do të vijojë edhe në datat 17 dhe 18 Janar.
“Në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike në datën për 16-17-18 Janar 2023 moti do të përkeqësohet duke filluar në orën 01:00 të datës 16 Janar 2023 përgjatë gjithë bregdetit shqiptar. Era do të jetë me drejtimin Jug-Jugperëndim në forcën 6-7bft deri 8bft 15-25m/s dhe lartësi dallge nga 1.80 deri 3.50 metra”.
23:44 | Pas lëkundjeve të tërmetit, disa qytetarë në Shqipëri dalin nga shtëpitë (VIDEO)
Lëkundje të forta tërmeti u regjistruan mbrëmjen e sotme në Shqipëri. Lëkundjet u ndjenë më disa qytete përfshirë edhe kryeqytetin, Tiranën.
Në videon e siguruar nga Abcnews, qytetarë të shumtë shihet të kenë dalë jashtë banesave të tyre.
Referuar të dhënave zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes lëkundjet kanë shkaktuar dëme të lehta më Xibër të Dibrës, por njerëz nuk janë lënduar. /abcnews.al
23.33| Veliaj me thirrje për tiranasit: Për çdo problem apo dëm pas tërmeteve na kontaktoni
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka thënë se sonte një valë tërmetesh janë ndjerë në kryeqytetin shqiptar.
Ai ka thënë se shërbimet e emergjencës në këtë bashki kanë kaluar në gatishmëri të plotë.
“Për çdo problematikë në banesa apo rrugë malore, ju lutem na sinjalizoni menjëherë në numrin 112 ose zjarrfikësit në numrin 128”, ka thënë Veliaj në Twitter. /Klankosova.tv
23.20| Tërmetet në Shqipëri, Peleshi: Dëme të lehta u raportuan në Xibër të Klosit
Ministri i Mbrojtjes në Shqipëri, Niko Peleshi, ka thënë se pas dy tërmeteve të fundit atje janë shkaktuar disa dëme të lehta në Xibër të Klosit.
Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se të gjitha strukturat e mbrojtjes civile janë në gatishmëri dhe në kontakt të vazhdueshëm më të gjitha bashkitë e Shqipërisë.
“Sipas të dhënave paraprake nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile dhe IGJEUM, lëkundje tërmeti me magnitudë 4.7 rihter, me epiqendër 3 kilometra në jug të Klosit janë ndier në të gjithë territorin e Shqipërisë”.
“Sipas të dhënave të deritanishme raportohen disa dëme të lehta në Njësinë Administrative Xibër, Bashkia Klos. Të gjitha strukturat e mbrojtjes vivile janë në gatishmëri dhe në kontakt të vazhdueshëm më të gjitha bashkitë e vendit”, ka shkruar Klosi, transmeton Klankosova.tv.
Tërmetet ndodhën në Tiranë, i pari ishte me magnitude 4.7 rihter, ndërsa i dyti me magnitudë 4.1 rihter. /Klankosova.tv
23.00| Regjistrohet edhe një tërmet tjetër në Tiranë
Në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, është regjistruar edhe një tërmet tjetër.
Megjithatë lëkundjet e tokës, sipas të dhënave të para ishin më të lehta, në 2.9, transmeton klankosova.tv.

Por, së fundit, rrjeti i regjistrimit të tërmeteve në mbarë botën, ka finalizuar tërmetin e fundit të ndodhur në Shqipëri me magnitën 4.1.

Deri tani, nuk është raportuar për dëme të mundshme.
22.45| Tërmeti në Tiranë pati magnitudë 4.7, u ndje edhe në Shkup
Lëkundje të fuqishme tërmeti raportohet të jenë ndjerë sonte në Tiranë.
Sipas të dhënave të para, lëkundjet ishin të magnitudës 5.2 me qendër pranë Durrësit, përcjell klankosova.tv.

Megjithatë mëpas, magnituda ka ndryshuar sipas institutit për matjen e lëkundjeve, duke e finalizuar atë në 4.7.

Tërmeti raportohet se u ndje edhe në Shkup të Maqedonisë së Veriut.