Lajmet e fundit

Sipas të dhënave të Burgut të Sigurisë së Lartë, aktualisht 190 të burgosur vuajnë dënimin në këtë institucion, të shpërndarë në tre pavijone.
Nga ta, 44 janë në paraburgim, duke pritur zhvillimin e procedurave gjyqësore ose vendimin përfundimtar të dënimit.
“Ky institucion ka 390 vende kapacitetin, kemi hapësirë të mjaftueshme për të akomodu të gjithë të burgosurit të cilët vlerësohen për të ardhë në këtë institucion, sepse Shërbimi Korrektues e bën një vlerësim paraprak të secilit të burgosur që ta sjellë këtu, që kanë dënime mbi 15 vite”, tregon për emisionin MAT në Klan Kosova, Rasim Selmani, UD Drejtor i Burgut të Sigurisë së Lartë.
Mirsim Vuthaj, përfaqësues ligjor në Burgun e Sigurisë së Lartë, tregon se aktualisht kanë 6 të burgosur me dënim të përjetshëm.
“Në burgun e Sigurisë së lartë i kemi 2 persona që kanë ardhë me aktgjykime të gjykatave të huaja, si të burgosur me dënim të përjetshëm, i kemi 2 të tjerë me dënime të republikës së Kosovës me dënime të plotfuqishme dhe i kemi 2 që janë në pritje të plotfuqishmërisë së dënimit”, sqaron Vuthaj.
Sipas të dhënave të këtij institucioni korrektues, aktualisht në BSL dënimin e vuajnë 105 persona për veprën penale vrasje e rëndë, 29 për veprën Krime Lufte Kundër Popullatës Civile, 10 për vepra terroriste, 7 për vepra të rënda penale kundër Rendit Kushtetues dhe Sigurisë së Republikës së Kosovës, 7 për huliganizëm, trazira dhe sulm ndaj personit zyrtar, 7 për vjedhje e grabitje, 9 për krim të organizuar dhe narkotikë dhe 5 për vepra të tjera. /Klankosova.tv