Lajmet e fundit

16 vjet më parë, më 28 maj 1999, Manchester United me një kthesë të madhe arriti t’ia marrë titullin e kampionit evropian Bayern Munchen’it.
Luhej minuta e parë e shtesës kur Man Utd e fitoi një goditje nga këndi. Në sulm shkoi edhe portieri Schmeichel. David Beckham krosoi, në tollovi më së miri u gjend Sheringham dhe e anuloi përparësinë e Bayernit, i cili kishte udhëhequr nga minuta e gjashtë me golin e legjendarit Mario Basler nga gjuajtja e lirë.
Vetëm 20 sekonda pasi gjyqtari Collina dha shenjë që Bayern ta rifillonte lojën nga qendra, United fitoi një korner të ri. Schmeichel euforik u nis në sulm, por Sir Alex Ferguson e ndali dhe e ktheu mbrapa.
Topin sërish e mori Beckham, krosimi i të cilit e gjeti kokën e Sheringham, që gjuajti drejt portës, kurse Solskjaer me një reagim refleksiv tundi rrjetën e Oliver Kahn.