Më 17 Shkurt të vitit 2008, ishte deputetja më e re e legjislaturës së tretë të Kuvendit të Kosovës, e cila mori pjesë në seancën solemne të leximit të Deklaratës së Pavarësisë të Republikës së Kosovës.
Për të ky moment ishte krenari dhe emocion i veçantë në një ndër proceset më të rëndësishme të shtetndërtimit të Kosovës.
Edhe pse sot jashtë jetës politike por me angazhim në një fushë tjetër të rëndësishme, si Lëvizja Paralimpike e Kosovës, ish-deputetja e LDK-së Njomza Emini për Klankosova.tv tregon momentet e 15 vjetëve më parë dhe si e sheh ajo rrugën e ardhshme të shtetit të Kosovës.
- Para 15 vjetësh kur u shpall Pavarësia e Kosovës, ju ishit deputetja më e re në legjislaturën e tretë të Kuvendit të Kosovës, diku rreth 24 vjeçare nëse nuk gaboj. Si e keni përjetuar këtë moment?
Emini: Çdo përvjetor të Shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, e kujtoj me emocion. Ndoshta emocionet shtohen nga viti në vit, duke kujtuar sa kemi kaluar e sa presim të kalojmë në shtetndërtim dhe momente tjera, të cilat na përcjellin në jetë. Ai moment ka qenë krenari, ndoshta edhe emocione të përziera për shkak të pamundësisë së shprehjes së gëzimit gjatë asaj kohe. Ndoshta vlera e atij momenti rritet çdo vit duke qenë pjesë e nënshkrimit të asaj deklarate dhe votimit në kuvend.
Si legjislaturë, krahas atij momenti që nuk harrohet kemi vazhduar edhe me miratimin e ligjeve organike dhe Kushtetutës. Kemi qenë të vetëdijshëm për rëndësinë që kemi dhe rolin që kemi marrë për organizimin e jetës shtetërore dhe institucionale. Sfida, me të cilat jemi përballur dhe vlerat, të cilat kemi tentuar të ndërtojmë kanë rëndësi të veçantë edhe sot. Kjo, për shkak të periudhës nëpër të cilën kalon shteti jonë. Interesimi i vazhdueshëm i mediave edhe qytetarëve për të shpjeguar atë periudhë çdoherë më kthejnë memorien dhe jam falënderuese ndaj kolegëve, qytetarëve dhe gjithë bashkëpunëtorëve për atë se çfarë kemi arritur deri tani në ndërtimin e shtetit tonë.
- Cili ka qenë momenti më emocionues gjatë seancës solemne të 17 Shkurtit, por edhe ndonjë prapaskenë para kësaj ngjarjeje?
Emini: Ngritja e dorës gjatë votimit dhe nënshkrimi i Deklaratës së Pavarësisë janë momente të paharrueshme. Të privilegjuar nga qytetarët e Republikës së Kosovës, kemi ndërtuar atë pjesë të historisë së bashku. E rëndësishme edhe kësaj radhe është nevoja për të kujtuar sakrificat që kanë ardhur deri tek ai moment i lavdishëm. Sa i përket prapaskenave kanë qenë të shumta, duke mos e ditur saktë orarin e seancës ditët paraprake, edhe atë ditë sa ishim në ambientet e kuvendit nuk kemi qenë të njoftuar edhe aq mirë për gjitha procedurat, por me afrimin e momentit e kemi ditur pastaj më saktë.
Gjithashtu, ishim të kufizuar në ndarjen e informacionit me të tjerët (rrethin familjar dhe shoqëror), meqenëse se ishte një organizim që po mbahej brenda institucioneve, por ata e dinin nga ngjyra e zërit dhe emocionet, me të cilat po flisja kohë pas kohe para shpalljes së pavarësisë. Megjithatë ndjenja e shërbimit ndaj qytetarëve dhe afërsia familjare përmes thirrjeve dhe mesazheve ishte moment që ja vlen të kujtohet gjatë, si mundësi për të kontribuar për shtetin tonë.
- Sot pas 15 vjetësh, si i shihni zhvillimet politike në vend? A është Kosova sot ajo që e keni paramenduar që do të jetë pas 15 vjetësh?
Emini: Unë tashmë e një kohë jam larguar nga angazhimet partiake, duke u fokusuar në ofrimin e kontributit në një fushë tjetër të Lëvizjes Paralimpike në Kosovë. Pritshmëritë që kemi pasur në atë kohë ndoshta nuk kanë qenë edhe të qarta në mungesë të përvojës në shtetndërtim, megjithatë ka shumë zhvillime pozitive për të cilat duhet të mburremi. Kemi kaluar periudha të rënda politike e të përziera, megjithatë duhet të jemi falënderues ndaj secilit qytetar për pjesëmarrjen e tyre në shtetndërtim dhe kontribut.
Zhvillimet politike duhet t’i kuptojmë si rotacion i sistemit demokratik ku pushteti dhe opozita kanë angazhimet e tyre. Mbetet të vlerësohet nga qytetarët se si janë plotësuar dhe deri në çfarë mase programet politike dhe ndikimi i tyre në jetën e qytetarëve. A do arrijmë që të ndryshojmë çdo gjë shumë shpejt, mendoj se jo kemi ende shumë punë përpara për të bërë Kosovën vendin tonë të ëndërrave.
- Ka kohë që nuk ju kemi parë në skenën politike. Pse jeni larguar dhe me çka jeni angazhuar kohët e fundit?
Emini: Ashtu si e përmenda edhe më herët, kam vlerësuar që misioni im në pjesëmarrjen e shpalljes së pavarësisë dhe shtetndërtimit përmes politikës ka përfunduar. Aktualisht jam e angazhuar në një fushë tjetër. Si Presidente e Komitetit Paralimpik të Kosovës, kemi arritur që vitin e kaluar ta anëtarësojmë Kosovën në Komitetin Paralimpik Ndërkombëtar, mundësi që më herët nuk e kishim. Sot, ky është misioni me të cilin une angazhohem çdo ditë, që për Personat me Aftësi të Kufizuara e në veçanti për Para Sportistët dhe Para Sportistët të krijojmë kushte më të mira për të zhvilluar talentin e tyre.
Gjithashtu krahas mbështetjes së Personave me Aftësi të Kufizuara, përmes Forumit për Lidership dhe Diplomaci, angazhohem për të sjellë një tjetër frymë në respektimin e të drejtave të Grave dhe të të Rinjve. Kemi nevojë që të shtojmë mirëkuptimin ndaj njëri-tjetrit, kategoritë më të dobëta në këtë shoqëri kanë nevojë për dorën tonë, për ofrimin e mundësive dhe krijimin e shpresës për një ambient më të mirë. /Klankosova.tv