28.12.2025 · përditësuar para 207 dite47 min lexim
18:30 - Deri në 18:30, votuan mbi 770 mijë qytetarë (VIDEO)
Deri në orën 18:30, sipas të dhënave të KQZ-së, kanë votuar 770,751 qytetarë me të drejtë vote.
17:39 - Mbi 766 mijë qytetarë votuan deri në orën 17:30 (VIDEO)
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon përditësimin e pjesëmarrjes së qytetarëve në procesin e votimit të zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit.
Deri në orën 17:34, sipas të dhënave të KQZ-së, del se kanë votuar 766,663 qytetarë.
Në përqindje i bie që deri më tani kanë shfrytëzuar këtë të drejtë 38,35% e qytetarëve me të drejtë vote.
Klankosova.tv do të vazhdojë të ju mbajë të informuar për çdo zhvillim nga ky proces zgjedhor edhe përmes mbulimit maratonik nga Klan Kosova.
18:49 - Halimi (PIPOS): Trendi i daljes së banorëve rezidentë ka pësuar rënie
Fisnik Halimi nga PIPOS ka deklaruar se pjesëmarrja e banorëve rezidentë ka pësuar ulje në zgjedhjet e 28 dhjetorit, krahasuar me zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit.
Në “Maratonën Zgjedhore” në Klan Kosova, Halimi tha se dalja mund të jetë më e madhe krahasuar më 9 shkurt, për faktin se diaspora ka votuar më shumë në Kosovë në këto zgjedhje, transmeton Klankosova.tv.
“Trendi i daljes së banorëve rezidentë ka pësuar rënie. Sipas të gjitha gjasave, numri do të jetë pak më i madh se i daljes më 9 shkurt, por kjo i atribuohet ekskluzivisht faktit që bashkatdhetarët tanë kanë votuar këtu”, tha Halimi.
18:37 -Stavileci falënderon qytetarët për pjesëmarrje në votime
Blerand Stavileci nga Partia Demokratike e Kosovës tha se pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhjet e 28 dhjetorit është e kënaqshme.
Në një konferencë për media, ai tha se vota e qytetarëve sot po shkon drejt të qenit vendimtare dhe historike për Partinë Demokratike të Kosovës, transmeton Klankosova.tv.
“Së pari, duam të shprehim një falënderim të sinqertë për të gjithë qytetarët që dolën dhe ushtruan të drejtën e tyre të votës. Pjesëmarrja juaj është dëshmi e pjekurisë sonë të demokracisë”, tha Stavileci.
“Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë ata qytetarë që na besuan dhe na votuan. Kjo votë po shkon drejt të qenit vendimtare dhe historike për Partinë Demokratike të Kosovës. Ky është një mesazh i qartë i tyre për më shumë stabilitet e zhvillim”.
18:29 - Pensionisti nga Gjilani: Shteti nuk bëhet me arrogancë, partitë të civilizohen
Fluks i madh i qytetarëve ka në qendrën më të madhe të votimit në Gjilan.
Këto janë zgjedhjet e katërta këtë vit në vend, dhe në një intervistë për Klan Kosovën, një pensionist tha se kur është nevoja, nuk është aspak e lodhshme të dilet e të votohet, transmeton Klankosova.tv.
“Shtetin duhet ta ruajmë, por më shumë duhet ta ruajnë bota e rinisë”, tha ai.
Pos tjerash, si pensionist, ai u shpreh se është i kënaqur me “rrogat” që i kanë.
“Pas këtyre votimeve, presim që të gjitha partitë të civilizohen. Shteti nuk bëhet me arrogancë”, ishte kërkesa e tij.
18:28 - Prokuroria jep detaje për intervistimin e Steviqit që dyshohet se ka ndikuar te votuesit
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka pranuar një informatë anonime lidhur me dyshimet se një qytetar serb nga Graçanica, Millosh Steviq, ka ndikuar te qytetarët për të votuar dhe po ashtu ka kërkuar raporte shëndetësore nga persona të caktuar, me qëllim që personat të asistohen gjatë procesit të votimit.
Sipas Prokurorisë, personi i dyshuar është shoqëruar në stacionin policor në Komunën e Graçanicës, ku ndaj tij janë duke u ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me të gjitha procedurat ligjore.
“Ndërkohë, gjatë kontrollit fillestar nuk është gjetur asgjë e dyshimtë, ndërsa i njëjti është intervistuar nga organet kompetente”, tha Prokuroria. /Klankosova.tv
18:19 - Steviq u shoqërua në Polici për “cenim të fshehtësisë së votimit”, rasti po trajtohet si informatë
Drejtori i Drejtorisë për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun, Baki Kelani e ka konfirmuar për Klan Kosovën që Millosh Steviq është shoqëruar në Polici.
Kelani tha se rasti në fjalë po trajtohet si informatë.
Steviqi po ashtu po intervistohet si dëshmitar për veprën “cenim i fshehtësisë së votimit”.
18:02 - Telashe me votimin me asistencë në Drenas, 15 mbesin pa votuar (VIDEO)
Në Drenas është raportuar për një telash i cili është trashëguar nga e kaluara.
Gazetarja e Klan Kosova, Donjeta Murselaj, ka biseduar me Flakarta Gllarevën, menaxhere e qendrës më të madhe të votimit në Drenas, e cila ka treguar se në atë qendër janë drejtuar rreth 15 persona që kanë kërkuar të votojnë me asistencë, por që janë kthyer mbrapsht nga stafi i KQZ-së pasi nuk kanë pasur asnjë dokument që e vërteton se ata kanë nevojë për asistencë.
Erald Hoti, mjek nga qendra e shëndetit “Hafir Shala” në Drenas, tha se një person është refuzuar t’i jepet vërtetimi për asistencë.
“Në qendrën tonë në Drenas, janë paraqitur 7 persona me qëllim të marrjes së vërtetimit nga mjeku për votim me asistencë. Gjashtë prej tyre u është ofruar kjo mundësi, ndërsa një është refuzuar pasi është parë që ai ka mundësi të votojë edhe i vetëm. Shumica prej këtyre personave kanë ardhur me familjarë, dhe kanë qenë të moshave mbi 65-vjeç”, deklaroi Hoti. /Klankosova.tv
18:01 - S’ka fluks të madh të votuesve në Podujevë
Në shkollën “Isa Boletini” në Podujevë, nuk ka edhe aq fluks të madh të votueseve.
Gazetari Liridon Zeqiri, tha se kjo qendër votimi ka mbi 6 mijë votues, me tetë qendra votimi, transmeton Klankosova.tv.
Megjithatë, sipas Zeqirit, fluksi i votuesve po ndërron herë pas here, por në përgjithësi, numri i daljes është i ulët.
18:00 - Edhe 1 orë deri në mbylljen e vendvotimeve
Tani kur ka mbetur vetëm edhe 1 orë deri në mbylljen e vendvotimeve, sipas raportimeve të ekipeve të shumta të Klan Kosova nëpër terren, shumë qytetarë janë brenda qendrave të votimit në pritje të ushtrimit të së drejtës së tyre.
Deri në orën 17:49, sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, të drejtën për të votuar e kanë shfrytëzuar 769,194 qytetarë, ose 38.48%.
Sipas informatave nga terreni, por edhe nga institucionet e rendit, procesi deri më tani ka shkuar pa telashe të mëdha. /Klankosova.tv
17:58 - Kelani: Procesi zgjedhor shkoi i qetë, kemi vetëm katër raste
Drejtori i Drejtorisë për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun, Baki Kelani, ka thënë se procesi zgjedhor ka shkuar shumë i qetë, teksa përmendi vetëm katër raste në mbarë Kosovën që ata tashmë i kanë iniciuar.
“Nëse flasim sot se si ka shku procesi zgjedhor në aspektin e sigurisë, ne deri në këtë fazë e vlerësojmë si një proces mjaft të qetë, për shkak se nuk ka pasë ndonjë rast konkret i cili ka cenu apo ka pengu në njëfarë forme apo tjetër mbarëvajtjen e procesit zgjedhor”, ka thënë Kelani në Maratonën Zgjedhore të Klan Kosovës.
“Edhe pse deri në këtë fazë mund të themi që deri në ora 17:00, në bazë të informatave që i kemi nga terreni, janë hapur sot katër raste, dhe një rast i cili është hapur ditën e djeshme në Mitrovicë të Veriut, rast i cenimit të fshehtësisë së votimit. Ndërsa sot janë hapur tri raste të cenimit të fshehtësisë së votimit apo cenim i përcaktimit të lirë të votuesve”.
“Dy raste kanë qenë në rajonin e Gjilanit, në Ranillug dhe në Zhegër, dhe një rast ka qenë në Drenas.
Kurse rasti tjetër, i katërti për sot, ka qenë asgjësimi i dokumenteve të votimit i cili është raportuar dhe iniciuar në Prizren”.
17:45 - Historia e zgjedhjeve në Kosovë: 18 procese në 25 vjet
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, në kuadër të programit special “Maratona Zgjedhore” në Klan Kosova, ka folur për historikun e këtij komisioni përgjatë viteve.
Siç thotë ai, përgjatë 25 vjetëve të fundit, në Kosovë janë mbajtur 18 procese zgjedhore, ku 10 prej tyre për Kuvendin e Kosovës, derisa tetë të tjera për zgjedhje lokale, transmeton Klankosova.tv.
“Historia e zgjedhjeve në Kosovën e lirë ka filluar në vitin 2000 me organizimin e zgjedhjeve të para për Kuvendet Komunale, dhe gjatë kësaj periudhe 25-vjeçare janë organizuar 10 procese zgjedhore për Kuvendin e Kosovës. Këtu përfshihet edhe ky proces zgjedhor i datës 28 dhjetor”.
“Pastaj tetë procese zgjedhore për Kuvende Komunale, dhe gjashtë të tjera për kryetarë të komunave. Zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave dhe Kuvende Komunale nga viti 2007 kanë filluar të organizohen njëkohësisht. Në nivel vendi gjatë kësaj periudhe 25-vjeçare janë 18 procese zgjedhore, 10 për Kuvendin e Kosovës dhe 8 të tjera për zgjedhje lokale”, tha Elezi.
Pos tjerash, ai bëri të ditur se në vitin 2007, në një ditë ishin mbajtur plot tri palë zgjedhje.
“Disa nga këto procese zgjedhore kanë ndodhur në të njëjtën ditë. Për shembull në vitin 2007, në të njëjtën ditë janë mbajtur tri palë zgjedhje në nivel veni, për Kuvendin e Kosovës, për Kryetarë të Komunave dhe Kuvende Komunale”, u shpreh ai.
Ndër të tjera, Elezi foli edhe për përparimin e KQZ-së ndër vite.
17:34 - Votime pa shumë telashe në Vushtrri
Klan Kosova ndodhet edhe në Vushtrri në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Gazetari Kastriot Tahiri ka thënë që kryesisht votimet kanë shkuar pa telashe në këtë komunë.
Për të kuptuar më shumë, ndiqni raportimin e Tahirit:
17:14 - Rreth 650 mijë qytetarë ushtruan të drejtën e votës deri në ora 17:00
Bazuar në të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orën 17:00, të drejtën e votës e kanë ushtruar 646 mijë e 829 qytetarë.
Në përqindje, pjesëmarrja e deritanishme në procesin zgjedhor është 32.35%, transmeton Klankosova.tv.
Klan Kosova po vazhdon me mbulimin e tij maratonik të këtyre zgjedhjeve, që janë të dytat me radhë gjatë këtij viti.
17:31 - Fluks i madh për të votuar me kusht në “Mihal Grameno” (VIDEO)
Në qendrën e votimit me kusht në Fushë-Kosovë, Aneksi 1 i shkollës “Mihal Grameno”, janë tri vendvotime ku raportohet të ketë ngarkesë të madhe të votuesve.
Gazetarja e Klan Kosova, Artina Breznica, ka njoftuar se shumë qytetarë po presin për të votuar në këtë qendër votimi.
Një qytetar i intervistuar, tha është nga Gjakova dhe ka ardhur të votojë me kusht në “Mihal Grameno”.
Një tjetër qytetar tha se ka një ankesë për KQZ-në dhe Gjendes Civile meqë sipas tij nuk kanë marrë informacione për ndërrim të qendrës së votimit.
“Në dy palë zgjedhjet e fundit kam qenë në Fushë-Kosovë, tash ma kanë ndërruar në Suharekë”, tha ai, duke e quajtur papërgjegjësi këtë veprim.
17:26 - Mustafa: Procesi zgjedhor po ecën në rregull në të gjitha komunat
Besian Mustafa nga Lidhja Demokratike e Kosovës u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që nuk e kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre të votës, të dalin dhe të votojnë në këto pak orë që kanë mbetur deri të mbyllja e vendvotimeve.
Në një konferencë për media, ai shtoi se deri më tani, sipas informacioneve nga terreni, procesi zgjedhor po ecën mjaft mirë dhe i rregullt, transmeton Klankosova.tv.
“Më lejoni të falënderoj të gjithë qytetarët, qofshin ata banor të përhershëm të Republikës së Kosovës, apo bashkatdhetarë tanë nga mërgata, që kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar, i falënderojmë të gjithë ata pa dallime. Nga informacionet që kemi marrë nga terreni, duket që procesi zgjedhor po ecën shumë mirë, është i rregullt, në të gjitha komunat, në të gjitha vendvotimet”, tha ai.
“Nga këtu shfrytëzoj rastin që edhe në këto pak orë që kanë mbetur, të gjithë qytetarët e Kosovës, të gjithë ata që kanë të drejtë vote, ta shfrytëzojnë këtë të drejtë vote, për të zgjedhur për katër vjetët e ardhshme për Kosovën, për atdheun e tyre”, u shpreh Mustafa.
17:23 - Policia konfirmon rastin e fotografimit të votës në Suharekë
Policia ka konfirmuar rastin e fotografimit të votës në Suharekë.
Për Klankosova.tv, zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi tha se janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe vërtetësisë së rastit.
“Sot është raportuar se një person ka fotografuar votën dhe e ka publikuar atë në aplikacionin ËhatsApp. Policia, në konsultim me prokurorin e shtetit, janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe vërtetësisë së rastit”, thuhet në konfirmim./Klankosova.tv
17:16 - Të verbrit i ishte mohuar e drejta për votim, mjekja rrëfen rastin
Mjekja Afërdita Rama nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Skenderaj ka ka thënë se sot është dashur të lëshojë vërtetime për pacientë me sëmundje kronike që kanë dashur të votojnë, por që u nevojitet asistenca e një familjari.
“Kam pacientë të mi që 26 vjet si specialiste e Mjekësisë Familjare që i përcjelli çdo herë. Atyre pacientëve që ua kemi lëshuar këto vërtetime janë me sëmundje kronike dhe janë persona që kanë shprehur dëshirën për votim. Nuk i kanë lejuar. Ata vuajnë prej disa sëmundjeve që kanë nevojë me një përcjellës familjar me i asistu për votim”, ka thënë Rama në Maratonën Zgjedhore të Klan Kosovës.
“Për atë gjendje të tyre i kanë diagnozat që i kemi bërë. Kemi pasë një rast që ka qenë i verbër, i lindur i verbër, ka pasur vërtetimin që është i verbër. Ia kanë mohu të drejtën, është dashtë me ardhë pa familjarin, me ia shkru unë të njëjtën për me ia mundësu me votu pacienti”.
“Faktikisht, këtu janë pacientë që i kam çdo herë, që vërtet kanë nevojë për një përcjellje të familjarit për votim”.
17:05 - Shoqërohet në Polici një person nën dyshimin për fotografim të votës
Një person është shoqëruar në stacion policor nën dyshimin për fotografim të votës.
“Betimi për Drejtësi” mëson se rasti ka ndodhur në fshatin Gelanc të Suharekës.
Lidhur me procedimin e këtij rasti, Klankosova.tv do të tentojë të marrë informacione tjera dhe do t’ju informojë më vonë.
17:03 - Shtohet fluksi i votuesve me kusht në Prishtinë
E vetmja qendër e votimi me kusht në Prishtinë, këtë pasdite ka parë një fluks më të shtuar të votueseve.
Gazetarja Arbreshë Uka, në një raportim direkt nga Fakulteti i Edukimit, tha se edhe më 9 shkurt fluksi i qytetarëve ishte më i madh pas orës 17:00, transmeton Klankosova.tv.
Në ndërkohë, menaxheri i kësaj qendre, Milaim Mazreku tha se deri në ora 15:00, 1 mijë 85 votues hodhën votën me kusht.
Pos tjerash, ai tha se numri pritet të rritet deri në 3000 votues.
16:50 - Exit Poll-i i PIPOS, Halimi: Diaspora e ka bërë punën edhe më ekzotike
Fisnik Halimi nga PIPOS, në kuadër të programit special “Maratona Zgjedhore” në Klan Kosova, bëri të ditur se si po shkon procesi i anketimit për të përgatitur Exit Poll-in në ora 19:00.
Ai tha se deri më tani janë anketuar 15 mijë qytetarë, megjithatë shtoi se procesi po vazhdon ende, transmeton Klankosova.tv.
“Kemi një ditë interesante të zgjedhjeve, për faktin që kemi një fluks të diasporës në Kosovë dhe thjesht është pak më ekzotike për ne në terren që të anketojmë. Po bëjmë gjithçka që është e mundur, por kisha dashur të them që pa punën e anketuesve në terren, puna jonë nuk do mund të ishte kualitative. Besojmë shumë, dhe krejt parametrat janë që edhe sonte të kemi një rezultat brenda standardeve të lejuara ndërkombëtarisht, brenda margjinave të gabimit”, tha ai.
“Anketimi është duke vazhduar dhe ka shumë që do të përgjigjen. Deri tani ka kaluar 15 mijë njerëz të cilët janë përgjigjur, natyrisht jo të gjitha përgjigjet merren parasysh”, tha tutje ai.
Pos tjerash, Halimi tha se për shkak të ardhjes së diasporës, anketimi është paska më i vështirë, pasi mërgata, sipas tij, është një trup elektoral që nuk është anketuar gjatë fushatës zgjedhore.
“Kur kemi një fluks çfare e kemi tash, të një trupi elektoral që nuk kemi mundur ta anketojmë gjatë fushatës zgjedhore, gjërat pak vështirësohen, po pastaj hynë në skenë matematikantët tanë të jashtëzakonshëm, që bëjnë gjithçka që është e mundur për të ardhur deri te rezultati me atë që do të dalë pastaj”, u shpreh Halimi.
Ndër të tjera, Halimi falënderoi të gjithë anketuesit, për një proces të rregullt e për të sjell rezultate sa më të sakta dhe në kohë.
“Përndryshe çdo gjë ka shkuar si më së miri. Më lejoni të bëj atë që bëj gjithmonë, t’i falënderoj pafundësisht 150 anketuesit tanë në terren, të cilët mposhtin acarin dhe çdo gjë tjetër për të na siguruar materialin e domosdoshëm që ne të kemi një rezultat sa më të saktë dhe në kohë sa më të hershme”, tha Halimi.
Ndryshe nga ora 19:00, PIPOS paraqet ekskluzivisht Exit Poll-in në Klan Kosova!
16:49 - Rritet interesimi për të votuar me kusht në shkollën “Frang Bardhi” në Mitrovicë
Është rritur interesimi për të votuar me kusht në shkollën “Frang Bardhi” në Mitrovicë
Menaxheri i qendrën “Frang Bardhi” në Mitrovicë, Luan Mehmeti për Klan Kosovën tha se deri në krahasim me zgjedhjet e shkurtit, trendi është gati i njëjtë.
“Deri në ora 16:00 kanë 260 votues. Krahasimi mes dy zgjedhjeve nacionale, trendi gati është i njëjtë për momentin, janë gati edhe tri ore deri tek përmbyllja e votimit”, u shpreh ai./Klankosova.tv
16:47 - Kelmendi paralajmëron exit pollin në Klan Kosova, thotë se trendet janë interesante edhe këtë herë
Adriatik Kelmendi ka thënë që shikuesit e Klan Kosovës kanë çfarë të shohin edhe në exit pollin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që po mbahen sot.
Në ora 19:00 në Klan do të jepen rezultatet exit pollit të PIPOS që japin një projeksion se kush dhe përafrësisht me sa për qind i fiton zgjedhjet.
“Do të kenë çka të na shohin. Trendet janë interesante. Verdikti i qytetarëve do të jetë përcaktues se a duhet të ketë më tepër bashkëpunim ndërmjet subjekteve politike, apo mund të vazhdojnë ndaras siç kemi parë deri më tash. Pra, për këtë arsye, besoj që ia vlen që t’i përcjellim rezultatet e sotme”, ka thënë Kelmendi në Maratonën Zgjedhore të Klan Kosovës.
“Natyrisht që projeksionin e parë e jep exit polli, si dhe herëve të tjera, ne do ta shfaqim exit pollin e PIPO-s dhe menjëherë do ta bëjmë edhe krahasimin me mediumet dhe kompanitë e tjera që kanë organizuar sot gjatë ditës”.
16:32 - Fluks i madh i votueseve në Graçanicë, qytetarët kanë këto kërkesa
Në komunën e Graçanicës të drejtë vote kanë 24 mijë e 414 qytetarë, dhe janë gjithsej 14 qendra të votimit me 33 vendvotime. Po ashtu, në këtë komunë mund të votohet me kush vetëm në një qendër votimi.
Gazetarja e Klan Kosovës, Bleona Thaqi ka raportuar se si po shkon procesi zgjedhor në Graçanicë, transmeton Klankosova.tv.
“Deri më tani pamë që ka një fluks të madh të qytetarëve për të votuar, dhe po ashtu kutitë brenda ishin të mbushura me vota”, u shpreh gazetarja.
Derisa qytetarët e kësaj komune thanë se Graçanicës i duhen spitale, fabrika, infrastrukturë më e mirë, investime në arsim.
Në ndërkohë një qytetare pati një kërkesë më ndryshe.
“Duam vetëm paqe, jo urrejtje. Sa më shumë dashuri”, u shpreh kjo qytetare.
16:26 - Një pjesë e stafit të Emergjencës në Istog mbesin pa votuar, shkak fluksi i punës
Një grup punëtorësh të Shërbimit të Emergjencës në Istog nuk kanë arritur ta shfrytëzojnë të drejtën e votës gjatë ditës së zgjedhjeve.
Doktoresha e kësaj qendre, Mirjeta Jahaj Murseli, ka deklaruar se procesi ka kaluar pa incidente dhe se një pjesë e stafit ka arritur të votojë, por jo të gjithë.
“S’ka pasur asnjë incident. Ne si staf kemi votuar, por një pjesë tjetër ka mbetur pa votuar”, tha ajo.
Ndërkohë, për gazetaren e Klan Kosovës, Gentiana Gashi, dy punëtorë të emergjencës kanë deklaruar se nuk kanë mundur të votojnë për shkak të fluksit të madh të punës. /Klankosova.tv
16:15 - Voton Ismet Krasniqi, kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës
Votën e ka hedhur edhe Ismet Krasniqi, kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës.
Në një intervistë për Klan Kosova, Krasniqi tha se sot ai votoi për të dhënë një shembull se sa e rëndësishme është hedhja e votës, transmeton Klankosova.tv.
Pos tjerash, ai foli për sukseset që Komiteti Olimpik i Kosovës korri në vitin 2025.
16:08 - Kryetarja e Ranillugut po hetohet, dyshohet se bëri presion qytetarët e papërcaktuar për të votuar
Kryetarja e Ranillugut Tanja Antiq, është intervistuar nga policia për vepren penale “Cenim i fshehtësisë së votimit”.
Antiq do të vazhdojë të intervistohet nga Njësiti i Hetimeve Rajonale në Gjilan në koordinim të plotë me Prokurorinë Themelore.
Klani mëson se presioni ndaj qytetarëve serbë ishte ushtruar qysh dje ku ajo ka identifikuar personat që s’janë përcaktuar ende për partinë politike, kësisoj ka shantazhuar ata, për të votuar për Listën Serbe.
“Me datën 28.12.2025, përmes rrugëve operative kemi pranuar informacion se anëtarja e kryesisë së forumit të gruas nga partia Lista Serbe dhe aktualisht Kryetare e Komunës së Ranillugut, dyshohet se përmes anëtarëve të Komisionit Komunal zgjedhor të kësaj partie në komunën e Ranillugut ka ushtruar ndikim tek votuesit e pa përcaktuar ose votuesit e subjekteve të tjera. Të njëjtit dyshohet se janë kanosur për ndërprerje të benifiteve të cilat këta qytetarë i përfitojnë nga shteti i Serbisë, në rast të mos votimit sipas udhëzimeve. E dyshuara është shoqëruar në ambientet e hetimeve rajonale dhe intervistuar në prezencën e avokatit me qëllimi të verifikimit të informacioneve dhe sqarimit të rrethanave”.
16:08 - Haradinaj thirrje grave të dalin dhe të votojnë: Përfaqësoni veten
Kryetari i AAK-së, në një konferencë për media, tha se procesi zgjedhor po shkon shumë mirë në të gjithë vendin, duke deklaruar se dalja deri më tani është e kënaqshme.
Po ashtu, ai u bëri thirrje qytetarëve që nuk e kanë shfrytëzuar të drejtën e votës, të dalin dhe të votojnë, transmeton Klankosova.tv.
“Procesi zgjedhor po shkon shumë mirë në të gjithë vendin, dalja është e kënaqshme. Kam kënaqësinë të ftoj të gjithë ta shfrytëzojnë të drejtën e votës ju që nuk keni votuar. Përfaqësoni veten tek kutia e votimit”, u shpreh kandidati për kryeministër.
Pos tjerash, Haradinaj tha se ndërprerjet e energjisë elektrike është shqetësuese, për të cilën i bëri thirrje KEDS-it për punë intensive.
“I uroj Kosovës këto zgjedhje kaq të mira”, tha ai ndër të tjera.
16:03 - Fletëvotimet e dyshimta në Rahovec, Kryeziu i quan lëshime teknike: E kemi paraqitur rastin
Në qendrën më të madhe të votimit në Rahovec, në shkollën “Isa Boletini”, 4 mijë fletëvotime kanë qenë me shenja.
Menaxheri i kësaj qendre, Sakip Kryeziu tha se beson që këto janë lëshime teknike, derisa tha se rasti është paraqitur.
“Na kanë dalë 4 mijë fletëvotime me shenja të verdha që besoj që është gjatë printimit, lëshime teknike, por e kemi paraqitur dhe na është thënë që të kryhen fletëvotimet që janë të pastërta, pastaj nëse do të ketë rast, të vazhdohet me ato të shenjëzuara”, tha ai./Klankosova.tv
15:53 - Fletushka reklamuese në Mitrovicë, menaxherja e qendrës sqaron situatën
Raportimet për fletëvotime apo materiale me përmbajtje politike reklamuese brenda hapësirës së votimit në shkollën “Andon Zako Çajupi” në Mitrovicë janë sqaruar nga menaxherja e qendrës së votimit.
Menaxherja e kësaj qendre, Melihat Meha, ka sqaruar se bëhet fjalë për një keqkuptim, duke thënë se materialet e përmendura nuk kanë qenë fletëvotime apo materiale reklamuese.
“Ndoshta ka qenë një keqkuptim i dikujt. Kanë qenë fletë të rëndomta me numra serikë, se ndoshta dikush nuk i mban mend, e ndoshta i ka pasur me vete. Nuk ka ndodhur diçka”, ka deklaruar Meha.
Këto sqarime vijnë pasi një qytetare ka raportuar në redaksinë e Klankosova.tv se në ambientet ku po zhvillohet votimi në shkollën “Andon Zako Çajupi” kishte fletushka me emra dhe numra kandidatësh nga Lëvizja Vetëvendosje, duke shkruar se kjo situatë mund të ndikojë në procesin e lirë dhe demokratik të votimit dhe të krijojë presion ndaj votuesve.
15:45 - Kryetari i KQZ-së deklarohet sërish për problemet me rrymë në qendrat e votimit
Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi në një konferencë për media dha detajet më të fundit nga procesi zgjedhor i 28 dhjetorit.
Ai foli rreth problemeve me energji elektrike në disa komuna, dhe për hapat që janë ndërmarrë në rregullimin e këtij telashi, transmeton Klankosova.tv.
“Jemi duke pranuar raportime të ndryshme nga qendrat e votimit lidhur me ecurinë e procesit zgjedhor. Sipas raportit të orës 15:00, në dhomën operative të KQZ-së janë raportuar disa probleme të tjera me mungesë të energjisë elektrike në tri qendra votimi në komunën e Skenderajt, dy në komunën e Malishevës, dhe dy qendra të tjera në Novobërdë dhe Obiliq. Për të gjitha këto raste është njoftuar KEDS-i për t’i ndërmarrë hapat e nevojshëm në rikthimin e energjisë elektrike dhe sipas informacioneve kjo ka ndodhur për një kohë shumë të shpejtë”, tha ai.
Sipas tij, ndërprerjet e energjisë elektrike nuk janë të gjata, pasi siç thotë ai, po intervenohet shpejt nga ekipet kompetente.
Pos tjerash, Radoniqi bëri të ditur edhe pjesëmarrjen e qytetarëve që kanë ushtruar të drejtën e votës deri në orën 15:00.
“Po ashtu duke u mbështetur në të dhënat preliminare që kemi marrë nga 96% e vendvotimeve, numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në orën 15:00 është 572 mijë e 726 votues, apo 28.65% nga 1 milion 999 e 204 votues”, tha ai.
15:33 - Deri në ora 15:00, mbi gjysmë milioni kanë shfrytëzuar të drejtën e votës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) po vazhdon të përditësojë të dhënat lidhur me pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhjet e parakohshme nacionale
Sipas përditësimit të fundit, që i përket orës 15:19, gjithsej 572,723 qytetarë kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre të votës.
Në përqindje, pjesëmarrja e deritanishme në procesin zgjedhor është 28, 65%.
15:18 - Raportohet për probleme në votimin me asistencë në Ferizaj (VIDEO)
Aolta Bajrami monitoruese nga shoqëria civile “Avonet”, ka folur rreth telasheve që votuesit në Ferizaj po përballen në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit.
Për gazetaren Gremisa Latifi, Bajrami tha se qendrat e votimit në Ferizaj, siç thotë ajo, kanë pasur problem të theksuar në votimin me asistencë, transmeton Klankosova.tv.
“Akoma është një sfidë e votueseve votimi me asistencë, për shkak se nuk kanë arritur me e kuptu faktin se pa prezantimin e dokumentit mjekësor nuk do të lejohet votimi me asistencë siç është bërë më herët”, tha ajo.
15:08 - Mërgimtarët vazhdojnë hyrjen në Kosovë, gazetari Zeqiri jep detaje nga Merdarja (VIDEO)
Gazetari i Klan Kosovës, Liridon Zeqiri, ka raportuar drejtpërdrejt nga pika kufitare e Merdarës, ku ka bërë të ditur se kolona më e gjatë e automjeteve është në hyrje të territorit të Serbisë, prej nga mërgimtarët po vazhdojnë të hyjnë në Kosovë.
Ai ka theksuar se në këtë pikë kufitare ka vetura me targa të vendeve të ndryshme evropiane, ndërsa kolona në dalje nga Kosova është dukshëm më e shkurtër.
“Kolona në dalje është më e shkurtër, ndërsa më e gjatë është në hyrje në territorin e Serbisë, prej nga mërgimtarët po vazhdojnë të hyjnë në territorin e Kosovës”, ka deklaruar gazetari Zeqiri, njofton Klankosova.tv.
Ndryshe, një numër i madh i bashkatdhetarëve kanë hyrë në Kosovë me rastin e ditës së zgjedhjeve, si dhe për festat e fundvitit.
15:05 - “Aaaa s’e di”, e moshuara s’ia ka haberin kujt ia hodhi votën pasi e ndihmoi djali gjatë procesit
Një ngjarje interesante ndodhi sot në shkollën Gjergj Fishta në Prishtinë.
Në këtë qendër të votimit, djali e asistoi nënën e tij për të votuar për shkak të shikimit të dobësuar.
Ndërkohë gazetarja Blerta Ahmeti, e pyeti të moshuaren:
Gazetarja: Të ndihmoi djali me votu?
Gruaja: Po, sepse nuk shoh mirë.
Gazetarja: A e votove kë deshte ti? apo kë deshti djali?
Gruaja: Aaa se di aty!
14:53 - Zgjedhjet i “largojnë” qytetarët nga relaksi (VIDEO)
Çka kanë zgjedhur qytetarët në një ditë të zgjedhjeve, votimin apo palestrën
Këtë përgjigje e ka kërkuar gazetari i Klan Kosovës, Lindrit Zogaj i cili ka qëndruar në një të tillë në Prishtinë.
Në mesin e përgjigjeve që ka marrë ai nga të pranishmit ishte e para stërvitja, e më pas ushtrimi i të drejtës së votës.
14:59 - “Kishim dashur një grua kryeministre”, preferenca e deçanases (VIDEO)
Një grua nga Deçani ka shprehur dëshirën që në të ardhmen Kosova të ketë një grua kandidate për kryeministre.
Ajo, në një intervistë për gazetaren e Klan Kosovës, Vesa Hoda, në ditën kur qytetarët e Kosovës po votojnë në zgjedhjet nacionale, ka theksuar se gratë janë të zonja për të udhëhequr vendin.
“Sipas mendimit tim gjithnjë, sikur të kishte sot një kandidate për kryeministre, jam e sigurt se do t’ia ndryshonte krejt kahjen Kosovës. Dashtë Zoti që në të ardhmen të ndodhë kjo, sepse femrat janë në nivel të mirë për çdo aspekt dhe janë të zonja”, ka deklaruar ajo.
14:45 - Tupana, votime dhe dasmë: Gëzim i dyfishtë në Gjakovë (VIDEO)
Në Gjakovë, atmosfera e sotme është shoqëruar me tupana dhe festë, jo vetëm për shkak të procesit të votimit, por edhe për një ngjarje familjare të veçantë.
Nga atje ka raportuar gazetari i Klan Kosovës, Agan Hajdarhoxha.
Ukë Berisha, kryefamiljar, ka bërë të ditur se sot po marton djalin e tij. Ai u shpreh i lumtur për këtë ditë të veçantë, duke theksuar se bëhet fjalë për dasmën e dytë që organizon në familje, shkruan Klankosova.tv
“Jam shumë i lumtur, është një gëzim i veçantë. Në orët e hershme të mëngjesit, rreth 80 për qind e fshatit kanë votuar dhe më pas kanë marrë pjesë edhe në dasmë”, tha Berisha.
Ndiqeni videon për më shumë detaje:
14:55 - Habit qytetari: Pres që pas zgjedhjeve të na udhëheqë ndonjë shqiptar, deri tash dobët (VIDEO)
Një qytetar ka shprehur pritshmëritë e tij lidhur me zgjedhjet, duke theksuar nevojën për ndryshim.
Ai për Klan Kosovën tha se pret që vendi të udhëhiqet nga një shqiptar, duke vlerësuar se drejtimi i deritanishëm ka qenë i dobët.
“E pres një ndryshim shumë të madh, pres që ndonjë shqiptar ta udhëheqë këtë vend se deri tash, shumë dobët”, tha ai./Klankosova.tv
14:42 - E shqeu fletëvotimin e gruas në shenjë revolte, shoqërohet në polici
Një incident ka ndodhur sot në njërën nga qendrat e votimit në Prizren.
Atje një person, në shenje revolte që nuk është lejuar ta asistojë gruan në votim, e ka shqyer fletëvotimin.
Me këtë rast, i dyshuari është shoqëruar në polici.
Kjo u konfirmua për Klankosova.tv nga zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit Shaqir Bytyqi.
“Aktualisht po intervistohet edhe me vendim të prokurorit presim se çka do të vendoset tutje”, deklaroi ai.
14:25 - 18.40% është pjesëmarrja në votime deri në orën 14:00
Mbi 360 mijë qytetarë kanë votuar deri në orën 14:00 më zgjedhjet e parakohshme parlamentare që po zhvillohen në Kosovë.
Bazuar në të dhënat e përditësuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pjesëmarrja e qytetarëve në përqindje është 18.40.
14:14 - Osmani bën thirrje: Dilni votoni dhe jepni zë vullnetit tuaj!
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka bërë thirrje për të votuar sot në zgjedhjet e parakohshme nacionale.
Përmes një postimi në Facebook, e para e shtetit shkroi se konstituimi i kuvendit dhe krijimi sa më shpejtë i Qeverisë janë jetike për stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin e Kosovës.
“Dilni votoni dhe jepni zë vullnetit tuaj!
Sa më masive të jetë pjesëmarrja, aq më e qartë rruga përpara.
Konstituimi i shpejtë i Kuvendit dhe krijimi pa vonesë i Qeverisë janë jetike për stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin e vendit”, shkroi Osmani.
14:01 - Rreth 40 suharekasë votojnë me kusht në qendrën e votimit në "Destan Bajraktari" (VIDEO)
Rreth 40 persona kanë shfrytëzuar të drejtën e votës në qendrën e votimit me kusht në komunën e Suharekës.
Votimi po zhvillohet në objektin e Shkollës së mesme të ulët “Destan Bajraktari”, ku menaxherja e kësaj qendre të votimit me kusht, Merita Bajraktari, ka bërë të ditur se procesi ka vijuar pa probleme që nga hapja e vendvotimit.
“Qendra është hapur në orën 07:00 dhe deri në këto momente kanë votuar rreth 40 qytetarë, ndërsa pjesa më e madhe e tyre kanë qenë votues nga diaspora”, tha ajo.
13:58 - DnV: Në 50% të vendvotimeve janë raportuar raste kur votuesit s’e kanë gjetur emrin në listë
Deri në orën 12:00, të drejtën për të votuar e kanë shfrytëzuar rreth 13.7% e qytetarëve (margjina e gabimit +/- 0,35%). Prishtina dhe Ferizaj kanë regjistruar daljen më të madhe deri tani, 15%.
Sipas Demokarcisë në Veprim, në komunat me shumicë serbe, në veri të vendit, dalja në votime është raportuar të jetë mbi 22% që është gati dyfish më e lartë sesa mesatarja e përgjithshme e daljes në nivel vendi.
Në këto zgjedhje, të drejtë vote kanë 1,999,204 qytetarë, ose 28,260 më shumë se në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, 2025.
Rikujtojmë se dalja e votuesve në periudhën e njejtë kohore në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit ishte 14.5%.
“Vëzhguesit e DnV-së kanë raportuar se deri në orën 12:00, vështirësi për t’a gjetur emrin në Listë, rrjedhimisht për t’a identifikuar vendvotimin adekuat është raportuar në 50% të vendvotimeve, por që numri i rasteve ka qenë i vogël, deri në 10 raste të tilla.
Por ka pasur edhe vendvotime (1,6%) ku një numër i konsiderueshëm i votuesve (deri në 30 votues) nuk e kanë gjetur emrin e tyre në Listë. Prijnë komunat: Prishtinë dhe Pejë”.
“Ka pasur disa raste kur votuesit janë ankuar që dikush tjetër është nënshkruar në emër të tyre në Listën e Votuesve dhe atë në 1.4% të vendvotimeve”.
DnV rekomandon qytetarët që para se të nisen për të votuar të verifikojnë Qendrën e tyre të Votimit përmes linkut qv.kqz-ks.org dhe në këtë mënyrë t’i shmangin pakënaqësitë dhe vonesat.
Në anën tjetër, votimi me kusht është duke u mundësuar në vetëm një qendër votimi në secilën nga 38 komunat.
Në këto zgjedhje, të drejtë vote kanë 1,999,204 qytetarë, ose 28,260 më shumë se në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, 2025.
Rikujtojmë se dalja e votuesve në periudhën e njejtë kohore në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit ishte 14.5%.
13:51 - Voton familja 15 anëtarëshe nga Carrabregu i Deçanit (VIDEO)
Në komunën e Deçanit një familje ka vendosur që të shkojnë të votojnë të gjithë në të njëjtën kohë.
Kjo familje nga Carrabregu përbëhet nga 15 anëtarë, të cilën e shfrytëzuan të drejtën e votës.
Gruaja 78-vjeçare nga kjo familje tha se kanë dashur që e gjithë familja të jenë bashkë.
“Patëm qejf me ardhë krejt me votu”, u shpreh ajo./Klankosova.tv
13:21 - Pjesëmarrja në zgjedhje - Mbi 300 mijë vota deri më tani
Mbi 300 mijë qytetarë kanë votuar deri në orën 13:00 në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Sipas përditësimit të fundit të të dhënave në faqen e Komsionit Qendror të Zgjedhjeve , në përqindje i bie se kanë dalë në votime 16.31, njofton Klankosova.tv.
Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 1 milion e 999 mijë e 24 persona.
13:08 - Prishtina prin për nga numri i qytetarëve që kanë dalur në votime
Prishtina prin për nga numri i qytetarëve që kanë votuar, me 23 mijë e 935 votues deri në këto momente.
Pas saj renditen Ferizaj me 12 mijë e 99 votues dhe Prizreni me 13 mijë e 255 votues, transmeton Klankosova.tv
Megjithatë, pavarësisht numrit më të madh të votuesve, pjesëmarrja në Prishtinë mbetet rreth 10,9 për qind, duke treguar dalje relativisht të ulët në raport me listën e votuesve.
Ndërkohë, në Gjilan votuan 9,831 votues.
Pas Prishtinës, Prizrenit, Ferizajt dhe Gjilanit, vijnë: Peja me 9,197 votues, Podujeva me 7,845 votues dhe Mitrovica e Jugut me 6,851 votues. /Klankosova.tv
13:01 - Mullisti nga Isniqi: Politikanët flasin më fort se çakalla e mullirit (VIDEO)
Gazetarja e Klan Kosovës, Vesa Hoda ka vizituar një mulli të vjetër në Isniq, që është funksional qysh para 80 vjetësh.
Ai njihet si “Mulliri i Rrustem Metës” në Isniq të komunës së Deçanit.
Për Klan Kosovën, pronari i këtij mulliri tha se politikanë flasin më fort se çakalla e mullirit.
“Politikanët flasin më fort se çakalla e mullirit, por s’di sa i mbajnë premtimet”, u shpreh ai./Klankosova.tv
12:55 - Dy qytetarë nga Gjakova ankohen për zhvendosje të vendvotimit në Prishtinë (VIDEO)
Dy qytetarë nga Gjakova janë ankuar për zhvendosjen e qendrës së votimit nga Gjakova për në Prishtinë.
Sipas raportimeve për gazetaren e Klan Kosovës, Diellëza Berisha, banorët kanë theksuar se janë rezidentë të Gjakovës dhe se qendra e tyre e zakonshme e votimit është ndryshuar pa arsye.
Të njëjtit kanë shprehur shqetësimin e tyre, por nuk janë prononcuar për media.
12:50 - Numër i ulët i votuesve në Shtime (VIDEO)
Në shkollën “Emin Duraku”, procesin e votimit po e ndjek nga afër gazetarja Gremisa Latifi.
Deri në orën 11:00, në këtë qendër votimi kanë votuar rreth 2 mijë e 800 votues.
Më shumë detaje, tha drejtoresha e kësaj shkolle Floreta Abazi – Gashi:
12:43 Incidenti në Zhegër: Policia dhe prokurori në vendin e ngjarjes
Një incident ka ndodhur në një qendër të votimit në Gjilan.
Atje ndodhi një fjalosje mes një votuesi dhe komisionerëve.
Rreth rastit detaje ka dhënë Ismet Hashani, zëdhënës i policisë për rajonin e Gjilanit.
“Realisht ka qenë një fjalosje mes një personit dhe zyrtarëve të qendrës. Nuk ka pasur përleshje. Prokurori dhe njësitet relevante janë në vendin e ngjarjes”, deklaroi Hashani për Klankosova.tv.
Ai theksoi se për detaje të tjera do të bëhen të ditura më pas.
____________________________________________________________________________________________________________________
12:42 - Përplasje në Zhegër të Gjilanit, mërgimtari tentoi të votojë për nënën
Një përplasje verbale mes një mërgimtari dhe komisionerëve ka ndodhur në qendrën e votimit “Agim Ramadani” në Zhegër.
Menaxheri i kësaj qendre bëri të ditur se i njëjti ka hyrë në vendvotim, duke tentuar të asistoi për nënën e tij të moshuar, duke mos pasur dokumentin e nevojshëm i cili lejon asistimit.
Sipas menaxherit, pasi kjo nuk i është lejuar, ai ka kërkuar që të votojë për nënën e tij, gjë e cila poashtu nuk i është lejuar dhe ai duke e ngritur zërin e ka përsëritur kërkesën, duke e bllokuar derën e hyrjes.
Në lidhje me këtë rast është njoftuar policia, të cilët e kanë larguar mërgimtarin nga vendvotimi.
Policia e ka konfirmuar për Klankosova.tv se njësitë përkatëse dhe Prokurori i Shtetit ndodhen në vendin e ngjarjes./Klankosova.tv
____________________________________________________________________________________________________________________
12:10 - Presidentja Osmani pret në radhë për të votuar
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani po pret në radhë për të shfrytëzuar të drejtën e votës për zgjedhjet e sotme nacionale.
E para e shtetit është e shoqëruar nga bashkëshorti i saj Prindon Sadriu, ku edhe pritet të votojnë në Fakultetin Teknik të kryeqytetit, raporton Klankosova.tv.
_____________________________________________________________________________________________________________________
12:03 - Rama hedh votën: Sot është një ditë e mirë për Kosovën
I pari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka shfrytëzuar të drejtën e tij të votës.
Përmes një postimi në Facebook, Rama shkroi se shpreson se që zgjedhjet e reja të sjellin një Qeveri që beson në bashkëpunimin me kryeqytetin, raporton Klankosova.tv.
“Sot është një ditë e mirë për Kosovën. Një ditë që dëshmon se jemi një shoqëri demokratike.
Uroj që zgjedhjet të sjellin një Qeveri që beson në bashkëpunim me Kryeqytetin, sepse përmes Prishtinës kemi mundësi reale për ta avancuar vendin.
I ftoj qytetarët të kontribuojnë në ecjen përpara të proceseve demokratike.
Me vizion të qartë, mision të përbashkët dhe bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë, Kosova ka nevojë për një Qeveri stabile për katër vitet e ardhshme”, shkroi Rama. /Klankosova.tv
_____________________________________________________________________________________________________________________
11:57 - Përveç Dragobilit edhe Astrazupi i Malishevës me mungesë të rrymës (VIDEO)
Përveç fshatit Dragobil, edhe fshati Astrazup në komunën e Malishevës po përballet me mungesë të energjisë elektrike në ditën e zgjedhjeve.
Gazetarja e Klan Kosovës, Sala Gashi, po raporton drejtpërdrejt nga këto vendbanime.
Në fshatin Dragobil, në Qendrën e Votimit në shkollën “Emin Duraku”, menaxheri i qendrës, Arianit Paçarizi, ka bërë të ditur se që nga mëngjesi nuk ka furnizim me energji elektrike, çka ka shkaktuar vështirësi në funksionimin e qendrës së votimit.
11:49 - 99 vjeçarja, befasia e këtyre zgjedhjeve (VIDEO)
Një 99-vjeçare është bërë një nga befasitë e këtyre zgjedhjeve, duke ushtruar të drejtën e saj të votës në qytetin e Pejës.
E shoqëruar nga familjarët, ajo u paraqit në qendrën e votimit, duke dëshmuar përkushtimin qytetar, pavarësisht moshës.
Ndiqeni videon në vijim për më shumë detaje: /Klankosova.tv
_____________________________________________________________________________________________________________________
11:46 - KQZ konfirmon për gjashtë komuna që kanë mungesë të energjisë elektrike (VIDEO)
Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme, kur po mbahen zgjedhjet nacionale, janë raportuar probleme me furnizimin me energji elektrike në disa komuna.
Ai tha se sipas raportit të orës 11:00 nga dhoma operative e KQZ-së, mungesë e energjisë elektrike është evidentuar në gjashtë qendra votimi që i takojnë komunave Istog, Ferizaj, Viti, Rahovec, Graçanicë dhe Gjilan, raporton Klankosova.tv.
“Sipas raportit të orës 11:00 në dhomën operative të KQZ-së, janë raportuar probleme me mungesë të energjisë elektrike në gjashtë qendra votimi që i takojnë gjashtë komunave. KQZ e ka njoftuar KEDS-in lidhur me këtë çështje”, ka deklaruar Radoniqi.
___________________________________________________________________________________________________________________
11:29 -Voton Fatmir Limaj në Prishtinë: Ditë e rëndësishme për demokracinë e Kosovës (VIDEO)
Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka votuar sot në kuadër të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës. Ai e hodhi votën e tij në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë.
Pas votimit, Limaj theksoi rëndësinë e kësaj dite për vendin.
“Sot është një ditë e rëndësishme për demokracinë e Kosovës dhe për shtetin tonë. Sot është dita e vendimmarrjes së çdo qytetari për ta bërë këtë shtet më funksional. Shpresoj që çdo qytetar i Kosovës të vendosë për forcën e shtetit dhe funksionimin e tij. Sot vendosni se në dorën e kujt do ta lini Parlamentin e Kosovës”, tha Limaj, transmeton Klankosova.tv
_____________________________________________________________________________________________________________________
11:27 - Deri në ora 11:00, mbi 160 mijë qytetarë iu drejtuan kutive të votimit
Mbi 160 mijë qytetarë kanë shfrytëzuar të drejtën e votës deri në këto momente për zgjedhjet e parakohshme nacionale.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po vazhdon me përditësimin e të dhënave, ndërsa sipas statistikave të publikuara deri në orën 11:00, pjesëmarrja në votim është 8,20 për qind.
Më poshtë i gjeni edhe statistikisht:
_____________________________________________________________________________________________________________________
11:25 - Fatmir Limaj hedh votën në Prishtinë
Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka votuar sot në kuadër të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës.
Ai e hodhi votën e tij në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë, shkruan Klankosova.tv
Ndër tjerash tha se sot shpreson që çdo qytetarë të votojë për guxim e shpresë. /Klankosova.tv
_____________________________________________________________________________________________________________________
11:17- Voton kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj
Në mesin e atyre që votuan këtë mëngjes në Prizren, ishte edhe i pari i kësaj komune Shaqir Totaj.
Totaj hodhi votën e tij në njëren nga qendrat e votimit.
_____________________________________________________________________________________________________________________
11:11 -Voton kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri
Kryetari i Pejës Gazmend Muhaxheri, e ka shfrytëzuar të drejtën e tij qytetare për të votuar.
Muhaxheri votën e tij e hodhi në shkollën “Lidhja e Prizrenit” në këtë qytet.
_____________________________________________________________________________________________________________________
10:57 - Votën e ka hedhur edhe kryetari i LDK-së dhe njëherë kandidati për kryeministër Lumir Abdixhiku.
Pasi kreu obligimin e tij qytetar, Abdixhiku foli edhe për mediat.
Ai deklaroi se në ditën e sotme vendimarrja i kthehet sovranit, qytetarit.
“Ditë e mirë, ditë e mbarë. Le të shpresojmë se në vazhdimësi gjithë procesi të votimit të shkojë mbarë e mirë. Uroj që qytetarët e Kosovës, në këtë ditë të rëndësishme që përcakton fatin e katër viteve të ardhshme të tyre të zgjedhin për zhvillim, për stabilitet, për të ardhme Euroatlantike dhe të largohen nga zymtësia, dhe përçarja që na ka shoqëruar në këto vite”, deklaroi Abdixhiku transmeton Klankosova.tv.
_____________________________________________________________________________________________________________________
10:51 - I burgosuri ankohet se nuk iu lejua votimi për shkak të leternjoftimit të skaduar
Gazetarja e Klan Kosovës, Blerta Ahmeti, raportoi se Fazli Gashi, i burgosur në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz, e telefonoi për të treguar se nuk ka mundur ta shfrytëzojë të drejtën e tij të votës.
I njëjti nuk kishte arritur të votonte pasi i kishte skaduar afati i leternjoftimit.
“Nuk po muj me votu, kanë ardhur këta të KQZ-së prej mëngjesit te ne, por kur shkova unë, më thanë të ka skadu afati i letërnjoftimit dhe nuk më lanë me votu. A unë i kam dëgju në TV që kanë thënë s’ka lidhje a ka afat letërnjoftimi a jo. Kështu si unë, jemi plot këtu në burg”, i tha telefonuesi gazetares.
Ndërkaq, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha për Klan Kosova se për identifikimin në votim dokumentet duhet të jenë të vlefshme, sipas afatit të vlefshmërisë. /Klankosova.tv
_____________________________________________________________________________________________________________________
10:40 - Në Dragobil të Malishevës, telashe me rrymë (VIDEO)
Në Dragobil të Malishevës janë evidentuar telashe me energinë elektrike gjatë procesit të sotëm të votimin në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Gazetarja e Klan Kosovës, Sala Gashi ka sjellë detaje nga shkolla “ Emin Duraku” në këtë fshat.
Menaxheri i kësaj qendre, Arianit Paçari ka treguar se çfarë po ndodhë në këtë Qendër të Votimit shkaku rrymës.
Ai tha se, problem qëndron tek njëra fazë e energjisë.
Detajet i gjeni në videon e mëposhtme:
_____________________________________________________________________________________________________________________
10:34 -Probleme në qendrën e votimit “7 Marsi” për shkak të udhëzimeve të shkruara me dorë
Në Shkollën “7 Marsi”, qytetarët raportuan konfuzion për udhëzimet mbi vendvotimet, të cilat janë shkruar me dorë dhe jo në mënyrë elektronike.
Kjo ka bërë që disa votues të kenë vështirësi në gjetjen e vendvotimit të tyre.
Më poshtë fotografitë:
] 10:28 - Dalje e ulët në Viti për të votuar (VIDEO)
Klan Kosova vazhdon të sjellë raportime nga krejt vendi rreth procesit zgjedhor.
Gazetarja Altiana Zogaj, ka qëndruar edhe në Viti në shkollën “Baftijar Haxhiu” për të parë se si po shkon votimi.
Menaxherja Drita Emerllahu, theksoi se gjthçka po shkon mirë, ku përveç në mëngjes ku ka pasur probleme me ngrohje, mirëpo kjo është tejkaluar.
Aktualisht vërehet dalje e ulët e qytetarëve vitias për ta shprehur vullnetit e tyre.
10:29 - Kaçaniku me mbarëvajtje të procesit zgjedhor (VIDEO)
Si në çdo komunë tjetër, edhe në Kaçanik po vazhdon procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Zyrtari i KKZ-së në Kaçanik, Artan Mezraja, bëri të ditur se KQZ-ja ka bërë shpërndarjen e materialit të nevojshëm dhe se çdo qendër votimi është hapur në ora 07:00 dhe është e disponueshme për secilin votues”, tha ai për gazetaren e Klan Kosovës, Gremisa Latifi.
“Deri në këto momente nuk është raportuar për parregullsi”, bëri të ditur ai.
10:28 - Dalje e ulët në Viti për të votuar (VIDEO)
Klan Kosova vazhdon të sjellë raportime nga krejt vendi rreth procesit zgjedhor.
Gazetarja Altiana Zogaj, ka qëndruar edhe në Viti në shkollën “Baftijar Haxhiu” për të parë se si po shkon votimi.
Menaxherja Drita Emerllahu, theksoi se gjthçka po shkon mirë, ku përveç në mëngjes ku ka pasur probleme me ngrohje, mirëpo kjo është tejkaluar.
Aktualisht vërehet dalje e ulët e qytetarëve vitias për ta shprehur vullnetit e tyre.
10:09 - Bedri Hamza fton qytetarët të votojnë sipas bindjeve të tyre
Kandidati për kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, hodhi sot votën e tij për zgjedhjet e Kuvendit të Kosovës në Shkollën “Anton Zako Çajupi” në Mitrovicë.
Pas votimit, Hamza u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë sipas bindjeve, duke shtuar se do të bëj gjithçka që të ketë formim të institucioneve.
“I ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës të votojnë sipas bindjeve, sipas vullnetit të tyre. Jam i bindur që sot do të jetë ditë e mbarë, dhe pres që gjithçka të shkojë mbarë. Deri tash nuk ka informacion se ka ndonjë problem dhe uroj që të mos ketë. Nuk është mirë me ndodh mungesa e energjisë elektrike. Dua të jem pozitiv dhe pres që gjithçka të shkojë mirë. Do ta bëj maksimumin që Kosova të ketë sa më shpejt institucione”, tha Hamza, transmeton Klankosova.tv
___________________________________________________________________________________________________________
09:53 - Kurti hedh votën, fton qytetarët për pjesëmarrje masive (VIDEO)
Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shfrytëzuar të drejtën e votës në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në qendrën e votimit në Fakultetin Ekonomik në Prishtinë.
Pas votimit, Kurti tha se kjo është një ditë e rëndësishme për Kosovën dhe ftoi të gjithë qytetarët që të dalin e të votojnë, duke shpresuar se legjislatura e dhjetë do të konstituohet sa më shpejt, duke mundësuar edhe formimin e qeverisë së re, raporton Klankosova.tv.
“Posa votova këtu në Fakultetin Ekonomik në kryeqytet për legjislaturën e dhjetë të Kosovës. Sot është një ditë e bukur dhe e rëndësishme. Ftoj të gjithë qytetarët që ta ushtrojnë të drejtën e tyre dhe ta shfrytëzojnë mundësinë për të përcaktuar përbërjen e Kuvendit të ardhshëm. Uroj dhe besoj se legjislatura e dhjetë do të konstituohet sa më shpejt Kuvendi i ardhshëm dhe njëkohësisht të formohet Qeveria e re. I falënderoj të gjithë qytetarët për pjesëmarrjen në fushatë, për durimin, vëmendjen dhe angazhimin që kanë treguar. Po ashtu shpresoj se pjesëmarrja do të jetë masive, sepse pjesëmarrja masive reflektohet edhe në cilësinë e zgjedhjeve dhe në legjitimitetin e institucioneve”, tha Kurti. /Klankosova.tv
09:23 - Prokurorja Laura Pula: Në terren janë prokurorët për të garantuar një ditë votimi të qetë
Prokurorja Laura Pula tha për Klan Kosova se për ditën e zgjedhjeve janë angazhuar mjaftueshëm prokurorë dhe staf, të cilët tashmë ndodhen në terren.
Ajo nënvizoi se vota nuk ka arsye për ta ekspozuar.
“Si edhe çdo herë, kemi angazhuar mjaftueshëm prokurorë dhe staf, që tashmë janë në terren, të ndarë në prokuroritë respektive, dhe do të kujdesen për procesin. Uroj që të jetë një ditë e mbarë dhe të keni sa më pak probleme. Për ata që tentojnë të manipulojnë, ne jemi këtu për të vepruar”, tha Pula.
Ajo theksoi se prezenca e prokurorëve në terren është pjesë e përkushtimit për të garantuar një proces votimi të qetë, të rregullt dhe transparent. /Klankosova.tv
09:39 - Probleme teknike në qendrën e votimit me kusht në Podujevë (VIDEO)
Në shkollën “Enver Maloku” në Podujevë ka pasur disa probleme teknike.
Në këtë vend, ku edhe votohet me kusht u pamundësua votimi për dy orë, por që u rregullua më pas.
Deri më tani, në dyja vendvotimet kanë votuar 9 persona.
Sipas menaxherit, kjo është një rrjedhë normale e procesit.
09:17 - Cakolli: Deri në orën 08:00, 3% e vendvotimeve nuk janë hapur me kohë (VIDEO)
Eugen Cakolli nga “Demokracia në Veprim” ka bërë të ditur se, sipas raportimeve të para nga terreni, deri në orën 08:00 rreth 3% e vendvotimeve në vend nuk janë hapur me kohë.
Siç tha ai, vonesat më të theksuara janë evidentuar në rajonin e Pejës.
Cakolli tha për Klan Kosova se shkaku kryesor i këtyre vonesave lidhet me mungesën e komisionerëve në disa qendra të votimit.
09:18 - 2.56% e qytetarëve shfrytëzuan të drejtën e votës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po i përditëson të dhënat lidhur me pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Në përditësimin e fundit, KQZ njofton se kanë votuan 51 mijë e 163 qytetarë.
Shprehur në përqindje deri tash të drejtën e shfrytëzuan 2.56% e qytetarëve.
_____________________________________________________________________________________________________________________
09:06 - Ramush Haradinaj voton në Gllogjan
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka hedhur sot votën e tij për zgjedhjet e Kuvendit të Kosovës në shkollën fillore “Heronjtë e Dukagjinit”, në Gllogjan.
Ndërkaq, nga ora 7 e mëngjesit janë hapur vendvotimet në qendrat zgjedhore në komunat e Kosovës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se materiali zgjedhor është shpërndarë me kohë dhe janë hapur të gjitha qendrat e votimit, në të cilat tashmë ka nisur procesi i votimit. /Klankosova.tv
_____________________________________________________________________________________________________________________
09:06 - 34 mijë e 985 qytetarë votuan deri më tani
34 mijë e 985 qytetarë e kanë shfrytëzuar tashmë të drejtën e votës.
Kështu tregojnë të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të paraqitura deri më tani.
Pjesëmarrja e qytetarëve llogaritet të jetë 1.75 për qind.
_____________________________________________________________________________________________________________________
08:48 - Kamenicasit me interesim të lartë për të votuar (VIDEO)
Në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare, pjesëmarrja e qytetarëve në qendrat e votimit në Kamenicë po është aktive që nga orët e para të mëngjesit.
Procesi zgjedhor ka nisur sipas planifikimit, në orën 07:00, dhe deri më tani ka vijuar pa probleme.
Deri në këto momente nuk është raportuar asnjë incident.
Kështu ka bërë të ditur drejtpërdrejt nga terreni gazetarja e Klan Kosovës, Amantina Hasani.
_____________________________________________________________________________________________________________________
08:32 - Qytetarët e Obiliqit më pak të interesuar të votojnë (VIDEO)
Gazetarja e Klan Kosovës, Artina Breznica, raportoi drejtpërdrejt nga shkolla “Ibrahim Rugova” në Obiliq, ku po zhvillohet procesi i votimit për zgjedhjet e Kuvendit të Kosovës.
Sipas raportimeve të para, numri i votuesve në fillim të ditës është i vogël, në një komunë me rreth 25 mijë banorë.
Një qytetar për Klan Kosovën tha se, për të, nuk ka qenë e vështirë të votojë.
Ndiqeni videon për më shumë detaje:
_____________________________________________________________________________________________________________________
08:19- Drenas: Në qendren “Rasim Kiçina” deri në ora 8 votuan 40 qytetarë (VIDEO)
Mbi 57 mijë qytetarë kanë të drejtë vote në komunën e Drenasit.
Klan Kosova me gazetaren Donjeta Murselaj, e ka përcjellur nga afër procesin në qendrën më të madhe “Rasim Kiçina”.
Ajo theksoi se deri në ora 08:00 aty kanë votuar 40 votues, por që aty po vijnë edhe votuesit e tjerë për ta kryer obligimin e tyre qytetar.
_____________________________________________________________________________________________________________________
08:11 - Fushë Kosova fillon procesin e votimit (VIDEO)
Gazetarja e Klan Kosovës, Artina Breznica, është drejtpërdrejt nga shkolla “Mihal Grameno”, ku po zhvillohet procesi i votimit.
Në këtë shkollë, në një aneks të veçantë, po lejohet votimi me kusht, sipas procedurave të KQZ-së.
Detaje të tjera rreth organizimit dhe zhvillimit të procesit mund t’i ndiqni në videon e mëposhtme.
08:06 - KQZ njofton: Procesi i votimit ka nisur në të gjitha qendrat e votimit në Kosovë
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, në konferencën e parë për media për ditën e sotme, njoftoi se procesi i votimit ka nisur në të gjitha qendrat e votimit në Kosovë.
“Materiali zgjedhor është shpërndarë me kohë dhe, sipas informatave që kemi, procesi i votimit ka nisur në të gjitha qendrat e votimit në të gjithë Republikën e Kosovës,” tha Elezi.
Sipas të dhënave të KQZ-së, brenda vendit kanë të drejtë vote 1,999,204 qytetarë, ndërsa jashtë Kosovës mundësi për të votuar kanë 77,086 votues.
Procesi zgjedhor në territorin e Kosovës do të zhvillohet në 948 qendra të votimit, me gjithsej 2,614 vendvotime, njofton Klankosova.tv.
KQZ ftoi të gjithë qytetarët që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar, duke marrë pjesë në zgjedhjet për legjislaturën e re të Kuvendit të Kosovës. /Klankosova.tv
_____________________________________________________________________________________________________________________
07:47 - S’ka shumë disponim për të votuar në Prizren
Klan Kosova do të qëndrojë edhe në Prizren për ta ndjekur nga afër procesin e votimit.
Gazetarja Qëndresa Tërshani, ka qëndruar në një nga qendrat më të mëdha, shkollën “Lidhja e Prizrenit”.
Ajo deklaroi se s’ka shumë disponim të qytetarëve për të votuar në këto orë të hershme.
_____________________________________________________________________________________________________________________
07:38 - Interesim më i madh i qytetarëve të Ferizajt për të votuar (VIDEO)
Gjithçka ka nisur me kohë dhe deri më tani nuk është shënuar asnjë problem në qendrën më të madhe të votimit në Ferizaj.
Atje procesin zgjedhor po e përcjellë gazetarja e Klan Kosovës Gremisa Latifi.
Ajo theksoi se në këto momente të para të nisjes së procesit, vërehet një fluks më i madh i zgjedhësve për ta hedhur votëne tyre.
07:35 - Gjilanasit nisin procesin e votimit (VIDEO)
Qytetarët e Gjilanit i janë drejtuar kutive të votimit qysh nga ora 07:00 e mëngjesit.
Nga atje detaje rreth procesit të sotëm ka dhënë gazetarja e Klan Kosovës, Altiana Zogaj.
Të gjitha procedurat janë ndjekur me kohë,
Janë mbi 100 e 4 mijë qytetarë me të drejtë vote në këtë qytet.
Kosova po voton sot në zgjedhjet e dyta parlamentare për këtë vit, njofton Klankosova.tv
_____________________________________________________________________________________________________________________
07:34 - Qendra e vetme me kusht në kryeqytet e nis mbarë procesin zgjedhor (VIDEO)
Fakulteti i Edukimit në kryeqytet, e cila është qendra e vetme me kusht e ka nisur mbarë ditën e zgjedhjeve parlamentare, ku sot qytetarët po ushtrojnë të drejtën e votës.
Nga aty po raporton gazetarja e Klan Kosovës, Arbreshë Uka, e cila ka bërë të ditur se nga 7 vendvotime sa kanë qenë fillimisht, tani janë bërë 8.
Deri në orët e hershme të mëngjesit, procesi ka nisur pa probleme dhe gjithçka po zhvillohet mirë./Klankosova.tv
07:27 - Suharekasit gati për të votuar për herë të katërt me radhë (VIDEO)
Qyteti i Suharekës është gati për të votuar në zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, të cilat po mbahen sot.
Në qendrën më të madhe të votimit, në shkollën e mesme “Skënder Luarasi”, po raporton gazetarja e Klan Kosovës, Sala Gashi.
Ajo raportoi se mbi 7 mijë e 280 votues kanë të drejtë vote, dhe qyteti ka rreth 8 vendvotime.
Ekipi menaxherial ka bërë të ditur se materiali zgjedhor ka ardhur me kohë dhe se që nga ora 07:00 votuesit po presin për të votuar.
07:26 - Në Fakultetin Teknik votimi ka nisur me kohë (VIDEO)
Sivjet në Fakultetin Teknik, për herën e katërt po mbahet një proces zgjedhor.
Menaxheri i kësaj qendre Valon Kurtaj, tha se procesi ka nisur me kohë dhe po ecë mirë.
Kurtaj bëri me dije se të drejtë vote kanë 4 mijë e 177 votues.
Ai deklaroi se aktualisht nuk ka probleme lidhur me këtë proces.
_____________________________________________________________________________________________________________________
07:23 - Gjakovë: 8 mijë votues në Shkollën “Yll Morina”
Gazetari i Klan Kosovës, Agan Hajdarhoxha, ishte drejtpërdrejt nga Gjakova, në Shkollën “Yll Morina”, ku po zhvillohet procesi i votimit.
Ai bëri të ditur se shumë qytetarë tashmë kanë shkuar për të parë se ku ndodhen qendrat e votimit, duke shprehur interes të lartë për pjesëmarrje në zgjedhje.
Në këtë qendër votimi, sipas Hajdarhoxhës, kanë të drejtë vote rreth 8 mijë qytetarë.
_____________________________________________________________________________________________________________________
07:15 - Voton kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi
Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ishte ndër të parët që votoi sot në Pejë, në kuadër të zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës.
Ai bëri thirrje që të gjithë qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar dhe të marrin pjesë në këtë proces demokratik.
“Në këtë qendër të votimit sot votohet për zgjedhjet parlamentare. Dua ta shfrytëzoj këtë rast që t’i ftoj të gjithë qytetarët të votojnë. Nga ana e KQZ-së, të gjitha përgatitjet janë bërë, përkundër kohës së shkurtër dhe sfidave që kemi pasur. Kemi arritur që procesi të përfundojë në kohë. Dje u zhvillua votimi në diasporë, i cili sipas njoftimeve ka shkuar shumë mirë dhe ka qenë proces i qetë. Qendra në Uashington, Toronto dhe Otavë u mbyllën gjatë natës. Uroj të jetë një ditë e qetë dhe që i tërë procesi të mos ketë asnjë problem”, tha Radoniqi, transmeton Klankosova.tv
Ai bëri të ditur gjithashtu mënyrën e votimit me asistencë për votuesit që kanë nevojë për mbështetje gjatë procesit.
“Çdo person që ka nevojë për asistim duhet të paraqesë një dokument përkatës, që tregon se nuk ka mundësi të votojë vetë. Varësisht nga nevojat e qytetarëve, mund t’u dorëzohet asistencë. Për ata që nuk dinë të lexojnë, ligji këtë kategori e ka larguar si kategori për të votuar me asistencë. KQZ nuk ua mohon të drejtën e votimit, dhe asistenca mund të jepet deri te kutia e votimit, por jo prapa saj”, vijoi ai.
_____________________________________________________________________________________________________________________
07:07 - Qendra më e madhe në Skenderaj gati për votim
Gazetarja Endrita Bajrami, nga qendra më e madhe e votimit në Skenderaj, Shkolla e Mesme Teknike “Anton Çetta”, që do t’i ketë mbi 6 mijë votues, ka sjellur detaje rreth nisjes së procesit të votimit.
Gjatë ditës së djeshme ka arritur materiali josensitiv derisa ai sensitiv ka arritur sot.
Sipas menaxherit të qendrës Agron Istogu, ka deklaruar se gjithçka është gati për të nisur votimi.
_____________________________________________________________________________________________________________________
07:02 - Raportim direkt nga Peja: Përgatitjet për votim përfunduan herët në mëngjes
Gazetarja e Klan Kosovës, Qëndresa Bellagoshi, raportoi drejtpërdrejt nga Peja lidhur me procesin e sotëm zgjedhor.
Menaxherja e qendrës së votimit, njëherësh drejtoresha e shkollës “Lidhja e Prizrenit” në Pejë, Mejreme Kolica, bëri të ditur se përgatitjet janë kryer që në orët e hershme të mëngjesit.
“Çdo gjë është përgatitur në orët e para të mëngjesit. I pari që do të votojë është kryetari i KQZ-së. Komisionerët kanë munguar ditën e shtunë, deri në këtë moment nuk janë të kompletuar, ndërsa kryesuesit janë këtu dhe i kanë kryer të gjitha punët”, tha Kolica.
_____________________________________________________________________________________________________________________
07:00 - A do të ndikojnë festat e fundvitit në numrin e votuesve në Mitrovicën e Jugut?
Klan Kosova do të jetë në transmetim maratonik në krejt vendin për ta përcjellur nga afër procesin zgjedhor.
Gazetari i Klan Kosovës Flamur Gajtani, do të sjellë detaje rreth ecurisë së votimit nga Mitrovica e Jugut, ku në qendrën më të madhe të drejtë vote kanë mbi 12 mijë qytetarë.
Mbetet të shihet se si do të ecë krejt ky proces dhe sa do të jetë dalja e qytetarëve, duke marrë parasysh se 28 dhjetori është datë që lidhet edhe me festat e fundvitit.
_____________________________________________________________________________________________________________________
06:18 - DITA D, kaq qytetarë kanë të drejtë vote nëpër komuna
Qytetarët e Kosovës sot do t’i drejtohen kutive të votimit për t’i zgjedhur përfaqësuesit për legjislaturën e re të Kuvendit.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, numri i përgjithshëm i votuesve është 2 milionë e 76 mijë e 290 votues, derisa brenda territorit të vendit 1 milion e 999 mijë e 204 qytetarë, kurse jashtë saj 77 mijë e 86 votues.
Procesi brenda vendit do të zhvillohet në 948 Qendra të votimit me 2 mijë e 614 vendvotime, njofton Klankosova.tv.
Por, sa qytetarë kanë të drejtë votimi nëpër komuna?
Kryeqyteti prin me numrin e votuesve me 219 mijë e 516 persona, pastaj Prizren me 187 mijë e 233 qytetarë në listën e votuesve.
I treta renditet Ferizaj, me 121 mijë e 287 qytetarë.
Tabelën e plotë mund ta gjeni mëposhtë:
_____________________________________________________________________________________________________________________
6:00 - Zgjedhjet e parakohshme: Kosova voton sot
Kosova sot mban zgjedhjet e parakohshme, ku sipas të dhënave nga Lista Votuese, numri i përgjithshëm i shtetasve me të drejtë vote është 2,076,290 votues.
Nga ky numër, 1,999,204 qytetarë kanë të drejtë vote brenda Republikës së Kosovës, ndërsa 77,086 qytetarë janë të regjistruar për të votuar jashtë vendit.
Lista Votuese përmban 7,192 votues më shumë krahasuar me Zgjedhjet Lokale të mbajtura më 12 tetor 2025, shkruan Klankosova.tv
Procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 948 qendra të votimit, me gjithsej 2,614 vendvotime. Prej tyre, 910 qendra me 2,557 vendvotime janë të dedikuara për votimin e rregullt, ndërsa 38 qendra, nga një për secilën komunë, me 57 vendvotime, do të shërbejnë për votimin me kusht. /Klankosova.tv
https://www.youtube.com/watch?v=ljmry6aIlFY&t=5s
●●●
Shpërndaje këtë artikull
VZ
SHKRIMI NGA
Vanesa Zhugolli
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.