Në vetëm 100 ditë të mandatit të tij të dytë, Donald Trump ka shndërruar Zyrën Ovale në një “kafaz të artë”, të mbushur me pasqyrime baroke, figura të arta, portrete të presidentëve të mëparshëm amerikanë dhe simbole të tjera të pushtetit absolut.
Por përtej pamjes së jashtme, transformimi i vërtetë ka ndodhur në mënyrën se si ai e udhëheq vendin, me një ritëm alarmues që ka tronditur vetë themelet e demokracisë amerikane.
Në një kohë rekord, Trump ka përdorur fuqinë ekzekutive për të sfiduar Kongresin, drejtësinë, mediat, shëndetin publik dhe vetë kulturën amerikane.
I zemëruar ende nga humbja në vitin 2020 dhe dënimi penal në vitin 2024, ai ka nisur një regjim hakmarrës, duke shënjestruar kritikët, prokurorët, mediat dhe institucionet që e kundërshtojnë.
Për shumë amerikanë, këto 100 ditë kanë qenë një goditje ndaj vetë identitetit të tyre politik dhe kombëtar.
Një qeveri e ndërtuar mbi besnikëri absolute
Kabineti i ri i Trump nuk përbëhet më nga figura me përvojë që e frenojnë presidentin, por nga besnikë të përkushtuar ndaj tij.
Në vend të zëvendëspresidentit Mike Pence, tani ndodhet JD Vance, një izolacionist i ashpër. Ndërsa në krye të Pentagonit nuk është më një gjeneral me përvojë, por ish-prezantuesi i Fox News, Pete Hegseth. Kjo përbërje e re ka krijuar një ambient ku impulset e Trump nuk sfidohen, por nxisin veprim, raporton The Guardian, transmeton Klankosova.tv.
Leon Panetta, ish-shef i stafit në Shtëpinë e Bardhë dhe ish-sekretar i mbrojtjes, paralajmëron se mungesa e “rrugëve të sigurta” dhe prania e një kabineti të përbërë vetëm nga besnikë, mund të shkaktojë dëme të jashtëzakonshme për vendin – veçanërisht nëse krizat ekonomike janë e vetmja gjë që e ndalon presidentin.
Projektet e mëdha, kaosi më i madh
Trump kishte katër vite për të planifikuar rikthimin, përmes projektit “Project 2025” nga Fondacioni konservator Heritage. Por edhe pse agjenda e tij ishte e qartë, zbatimi ka qenë kaotik. Përplasjet në kabinet, rrjedhjet nga brenda dhe moskoordinimi, veçanërisht në Pentagon, kanë dëmtuar efikasitetin e tij.
Nga njëra anë, figura si Russ Vought kishin gati një plan të detajuar për të transformuar administratën. Nga ana tjetër, Trump e ka shoqëruar këtë me vendime të pamenduara dhe paaftësi strukturore që kanë paralizuar agjenci kyçe si Departamenti i Drejtësisë dhe i Mbrojtjes.
Musk, ‘efikasiteti’ dhe shkatërrimi i institucioneve
Një nga lëvizjet më të përfolura ishte emërimi i Elon Musk si drejtues i “Departamentit të Efiçiencës së Qeverisë” (Doge). Me filozofinë “lëviz shpejt dhe shkatërro gjithçka”, Musk ka pushuar nga puna qindra zyrtarë, ka mbyllur programe shkencore dhe institucione arsimore, madje edhe spitale që trajtonin veteranët e luftës. Ai e ka quajtur sistemin e sigurimeve shoqërore “mashtrimin më të madh të historisë” dhe ka kërkuar heqjen e tij.
Por kjo “efikasitet” e ka çuar vendin drejt trazirave ekonomike. Një sondazh nga ABC News, Washington Post dhe Ipsos zbuloi se 72% e amerikanëve besojnë se politikat ekonomike të Trump mund të sjellin një recesion të afërt. Vetëm 39% miratojnë mënyrën se si ai po e drejton vendin – përqindja më e ulët për një president amerikan në 80 vitet e fundit.
Imigracioni, hakmarrja dhe lufta kulturore
Trump ka ashpërsuar ndjeshëm politikat e imigracionit, duke përdorur një ligj të vitit 1798 për të deportuar të huaj pa procedura gjyqësore, si dhe ka dërguar venezuelianë të dyshuar si anëtarë bandash në një burg masiv në Salvador. Ai ka propozuar gjithashtu heqjen e shtetësisë për të lindurit në SHBA dhe ka ofruar “kartë të artë” për të pasurit që duan.
●●●
LESHKRIMI NGA
Lendita Elshani
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.