Chris Paul ka arritur asistin e 10.000-të në karrierë gjatë fitores së Phoenix Suns përballë kampionit aktual, Los Angeles Lakers, që përfundoi me rezultat 111-94.
35 vjeçari tani gjendet në vendin e 6-të të renditjes së asistuesve më të mirë në histori të NBA, njofton Klan Kosova.
Krahas 13-të asistimeve në këtë ndeshje, Paul kontribuoi edhe me 11 pikë dhe 10 kërcime, për të arritur dy shifrorin e trefishtë të parë këtë sezon dhe të 16-in në karrierë.
Ish bashkëlojtari i tij tek Clippers, Blake Griffin, të dielën në mbrëmje ka shënuar debutimin tek Brooklyn Nets, në paraqitjen 13 minutëshe kundër Washington Wizards.
Kyrie Irving me 28 pikë, 7 kërcime dhe 6 asistime, si dhe James Harden me 26 pikë, 5 kërcime dhe 8 asistime, udhëhoqën “nju-jorkezët” drejt fitores 113-106.
Kjo ishte fitorja e 28-të kampionate për Nets, që gjenden në pozitën e dytë të Konferencës Lindore.
Edhe liderja e kësaj Konference, Philadelphia 76ers, e ka përmbyllur mbrëmjen me fitore, pasi triumfoi duelin dramatik me New York Knicks pas vazhdimeve, 100-101.
Julius Randle i vendasve me tre pikësh i dërgoi ekipet në minutat shtesë, ndërsa në 5 sekondat e fundit të tyre, Tobias Harris realizoi nga gjuajtjet e lira për t’i siguruar mysafirëve fitoren.
klankosova.tv
●●●
HSHKRIMI NGA
H.S
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.