Lajmet e fundit

E ashtuquajtura Zyra Serbe për Kosovën në qeverinë e Serbisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Serbisë, nesër dhe pasnesër organizojnë vizitë dyditore në Kosovë për zyrtarë të kësaj te fundit, të cilët do të zënë poste të rëndësishme në ambasadat dhe konsullatat e Serbisë në mbarë botën, shkruan Tanjug, transmeton Klan Kosova.
Nga kjo zyrë kanë deklaruar se kjo vizitë është me rëndësi të madhe për luftën diplomatike, për ta ruajtur Kosovën në kuadër të Republikës së Serbisë.
“Kjo do të jetë një mundësi që edhe diplomatët serb, të cilët në të ardhmen do të marrin pjesë në mënyrë aktive në punën e organizatave ndërkombëtare, të njoftohen me bukuritë natyrore të krahinës sonë jugore, problemet e komunitetit serb, por edhe me trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore të Kosovës, të cilën do ta promovojnë dhe mbrojnë në skenën ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e kësaj zyreje.
Gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, këta përfaqësues së bashku me zëvendësdrejtorin e zyrës për Kosovën, Zhelko Joviq, do ta vizitojnë Prizrenin, Graçanicën, Hoqën e Madhe, dhe disa katedrale dhe kisha.