Lajmet e fundit

Presidenti Hashim Thaçi i ka kërkuar edhe zyrtarisht kryetarit të LDK-së Isa Mustafës, përmes një letre, emrin e mandatarit për kryeministër.
Kjo kërkesë e presidentit ka ardhur pas takimit të djeshëm konsultativ që ky i fundit pati me liderët politikë ku u deklaruan nëse janë pro shpërbërjes së Kuvendit dhe zgjedhjeve të reja, apo formimit të Qeverisë së re pa shkuar në zgjedhje.
Zyra e Presidentit në një përgjigje për Klan Kosovën ka thënë se kryetari i LDK-së e ka konfirmuar se e ka siguruar shumicën e mjaftueshme.
“Në përputhje me mandatin kushtetues dhe në respektim të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, në rastin nr. K0103/14, me qëllim të shmangies së zgjedhjeve të parakohshme, ruajtjes së stabilitetit të vendit dhe në përputhje me urgjencën për t’i dhënë vendit Qeveri të re me legjitimitet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, pas konsultimit me të gjitha partitë politike parlamentare dhe pajtimit të shumicës së tyre absolute për të formuar Qeveri të re, pas mosdërgimit të emrit të kandidatit për të formuar Qeverinë nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje përkundër 5 kërkesave nga ana e Presidentit të vendit, si dhe në përputhje me Kriteret Mbizotëruese për formimin e Qeverisë së re, pas takimit të pasdites së djeshme ku kreu i LDK-së, Mustafa ka konfirmuar se ka siguruar shumicën e mjaftueshme në Kuvend, presidenti Thaçi ka përmes një letre i ka kërkuar emrin e mandatarit potencial për formimin e Qeverisë së Kosovës”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Presidentit.
Në ndërkohë, LDK-ja është duke e mbajtur mbledhjen e Kryesisë ku pritet të merret vendimi për emrin e kandidatit për kryeministër.