Lajmet e fundit

Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka reaguar ndaj deklaratës së kreut të AAK-së Ramush Haradinaj, lidhur me marrëveshjen për vijën kufitare në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi.
"Kufiri me Malin e Zi, si edhe me vendet tjera fqinje, nuk caktohet sipas vullnetit të individëve apo partive politike, por mbi bazë të dokumenteve të cilat i vërtetojnë komisionet profesionale dhe i propozojnë Qeverisë dëshmimin e vijave kufitare".
"Vija kufitare me Malin e Zi është ajo mbi të cilën është shpallur pavarësia e Republikës së Kosovës dhe në të cilën është njohur Kosova si shtet sovran dhe i pavarur. Z. Haradinaj, si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, si edhe çdo qytetar, ka të drejtë të argumentoj me dokumentacion konkret nëse ndonjë pjesë e territorit të Republikës së Kosovës, qoftë pronë e tij apo pronë publike, ka kaluar në Malin e Zi".
"Asnjë argument të tillë me shkrim, Qeveria e Republikës së Kosovës nuk e ka marrë deri më sot. Andaj, kërcënimet e z. Haradinaj, nuk janë argumente, por flasin për mungesën e argumenteve" thuhet në reagimin e zyrës së kryeministrit, Isa Mustafa, transmeton Klan Kosova.