Sali Zyba, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje që nga themelimi i saj, tash drejtor në Drejtorinë e Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, konsiderohet “heroi” i protestave dhe arrestimeve në Kosovë.
Në një rrëfim për Zërin, Zyba sjell momente të vështira, të mira, mbi të gjitha të paharruara për kohën sa kaloi, më shumë se 30 herë, nëpër duar të policisë e nëpër burgje.
E si i lënduar disa herë , ai thotë se pasojat afatgjate sa u përket lëndimeve kanë qenë të dukshme.
Siç tregon Zyba, prejse e kishte lënduar boshtin kurrizor, edhe sot e kësaj dite ndihet efekti i këtij lëndimi.
Porse, me bindje të thellë, ai thotë se do të vazhdojë tutje. Nuk do të ndalet.
“Po, një lëndim personalisht ka qenë në boshtin kurrizor, që ndoshta edhe sot pason kjo si vuajtje, por nuk e konsideroj se më ndal në aktivitet”, shton ai.
Përkundër asaj se ai përjetoi momente jo të lehta, arrestime, përjetime në burgje e lëndime, nuk ndihet i penduar për as edhe një veprim që e çoi shumë herë drejt prangave. Përkundrazi, ai thotë se me veprimet e tija ka kontribuar për vendin e tij.
klankosova.tv