Lajmet e fundit

Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Thomas Kolly, ka thënë se do të vazhdojnë ta përkrahin Kosovën në fushat e arsimit, zhvillimit ekonomik, investimeve dhe shkëmbimit tregtar.
Këtë e bëri të ditur ambasadori në një takim që pati me kryeministrin Albin Kurti, të enjten. Në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit thuhet se Kolly e uroi Kurtin për rezultatin e zgjedhjeve parlamentare dhe për formimin e institucioneve.
"Ai tha se Zvicra do të vazhdojë të përkrahë Republikën e Kosovës në fushat e arsimit e zhvillimit ekonomik, investimeve dhe shkëmbimit tregtar".
"Kurti e falënderoi ambasadorin zviceran për urimet dhe angazhimin e tij për intensifikimin e bashkëpunimit. Ai foli sidomos për rëndësinë e mërgatës kosovare, pa të cilën siç tha ai, zhvillimi i vendit tonë nuk do të jetë i mundshëm".
"Kryeministri e falënderoi shtetin e Zvicrës edhe për angazhimin në mekanizmin COVAX, për sigurimin e vaksinave për popullatën e Kosovës, dhe theksoi nevojën për vazhdimin e ndihmës ndërkombëtare për sigurimin e dozave të tjera të vaksinave kundër COVID-19", thuhet në njoftimin e ZK-së.