Lajmet e fundit

Gastronomët kanë ndërmarrë një iniciativë për bojkotimin e qeveritarëve. Ata kanë vendosur që mos t'iu shërbejnë më kafe atyre.
Kjo për shkak të masave të reja anti-COVID-19 që qeveria pritet t'i miratojë.
Veton Zuka nga Shoqata e Gastronomëve tha se nëse bëhet mbyllja e bizneseve, atëherë ekzekutivi i vendit duhet të mendojë edhe për kompensimin e tyre.
"Kjo ka qenë një ide e gastronomëve, dhe jo direkt e shoqatës, si simbolikë e frustrimit që e kemi edhe prej persekutimit të përgjithshëm që e kemi pasur prej mbylljes së parë. Çfarëdo mase që ka qenë ose që do të vijë nuk është në koherencë me financimin dhe mbështetjen e bizneseve".
"Duhet ta kenë të qartë se edhe një orë nëse mbyllet një biznes duhet të ketë kompensimin nga shteti. Ne e kemi pasur një kompensim social që nuk ka mjaftuar në asnjë mënyrë, sepse nëse e shikojmë në aspektin kronologjik të hapjes dhe mbylljes kjo nuk ka pasur asnjë lidhje me ndihmën".
"Kjo ka ardhur si pasojë e frustrimit të mbylljes dhe mospërkrahjes nga ana e qeverisë si simbolikë. Qeveritarët do të bojkotohen, sepse non-stop po dalin me masa dhe non-stop po dalin me persekutime".
"Sot, për shembull, dolën me masa të reja dhe në një mënyrë edhe me kërcënim se i mbyllim edhe tre muaj. Mirë, mirë i mbyll tre muaj apo edhe tre ditë, sikur ajo mbyllja e pakuptimtë që ka ndodhur javën e kaluar, që unë nuk besoj që e dinë pse e kanë bërë këtë mbyllje. Është një pyetje shumë e thjeshtë, nëse po e bën mbylljen pse nuk po e bën edhe kompensimin?".
Ndër të tjera, ai tha se gjendja e bizneseve është e rënduar duke bërë që shumë punëtorë të mbesin pa punë. Zuka bëri thirrje që të votohet Pakoja për Rimëkëmbje Ekonomike.