Lajmet e fundit

I ftuar në emisionin Zona B, te Baton Haxhiu, ishte drejtori i festivalit të filmit dokumentar DokuFest, Veton Nurkollari.
Me të ftuarin u diskutua rreth organizimit të edicionit të 14-të të festivalit që mbahet në Prizren, tematika e cila do të trajtohet, mënyra e organizimit dhe përmbajtjes së festivalit si tërësi.
Drejtori i DokuFestit u shpreh se njëra nga temat kryesore e cila do të trajtohet edhe në debate, por edhe me filma është ajo e migrimit.
“Sivjet do të jetë temë kryesore migrimi”.
“Ne do të provojmë ta kemi së paku një debat për rolin pozitiv të migrimit, jemi të interesuar t’i kemi disa njerëz që mund të flasin për përvojën e tyre të migrimit pozitiv.”
“Ne do ta eksplorojmë edhe anën tjetër të migrimit”, tha Nurkollari, transmeton Klan Kosova.
Ideja e këtyre debateve sipas Nurkollarit është që të iniciohet një debat më i madh publik mbi këtë çështje.
Trajtimi i kësaj teme e cila preku së fundi në valë të madhe Kosovën, do të bëhet edhe me shfaqje të filmave.
“E kemi një program të veçantë me 12 filma për Migrimin, nga Lampeduza, Stacioni i Autobusëve në Prishtinë, deri në Suboticë e Hungari.” tha Nurkollari.
Si çdo vit tjetër ideja e DokuFestit është të shpërfaq ato probleme që e preokupojnë shoqërinë kosovare, njëra ndër to është edhe arsimi.
“Do ta prekim edhe temën e arsimit, do të shfaqim një film ku shfaqet arsimi komplet ndryshe, një shkollë eksperimentale ku të gjithë janë të barabartë.” u shpreh drejtori i Doku Festit
Nga viti në vit festivali është rritur në organizim, qoftë nga ana financiare, infrastruktura dhe kualiteti pohon Nurkollari, por problem në këtë bashkëpunim ai e sheh Komunën e Prizrenit.
“Logjistika, infrastruktura e organizimit, komplet situata është shumë më mirë, por cfarë nuk jemi ende të kënaqur është bashkëpunimi me Komunën e Prizrenit.
“Komuna e Prizrenit nuk e kupton që partneri kryesor i komunës duhet të jetë DokuFesti”.
Njëri nga komponentët që DokuFestin e bëjnë festival cilësor dhe prej më të mirëve në rajon, janë edhe anëtarët e jurisë, që në këtë vit ka drejtor të festivaleve prestigjioze.
“Juria ka regjisorë të njohur ka drejtorë festivalesh, njëri prej anëtarëve të jurisë është drejtori i festivalit dokumentar të Marsejës që është festival shumë prestigjioz, pastaj drejtori festivalit të Montrealit dhe shumë anëtarë të tjerë profesionistë që kompletojnë festivalin tonë”.
DokuFesti edhe sivjet do t’i ketë punëtoritë e tij, dhe kinematë e hapura që konsiderohen ndër më të bukurat në botë.