Lajmet e fundit

Një zjarr që përfshiu dhomat e Parlamentit të Afrikës së Jugut në Cape Town është rindezur disa orë pasi u tha se ishte nën kontroll.
Flakët kanë dalë nga çatia e ndërtesës. Zjarrfikësit ndodhen në vendngjarje dhe po përpiqen të shuajnë flakët.
Zjarri shpërtheu fillimisht të dielën, duke shkatërruar totalisht Asamblenë Kombëtare ose dhomën e ulët.
Policia ka arrestuar një të dyshuar i cili do të dalë në gjykatë ditën e martë për akuzën e zjarrvënieve, thyerjes së shtëpisë dhe vjedhjes.
Të dielën, presidenti Cyril Ramaphosa e quajti zjarrin një "ngjarje të tmerrshme dhe shkatërruese".
Ministrja e qeverisë, Patricia de Lille, tha se zjarri i së dielës kishte çuar në "djegien e plotë" të dhomës së Asamblesë Kombëtare, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
Zona të tjera të kompleksit parlamentar, pjesë të të cilit datojnë që nga viti 1884, gjithashtu u dëmtuan rëndë.
De Lille tha se ishte ende shumë nxehtë që njerëzit të hynin brenda ndërtesës për të kontrolluar shkallën e dëmtimit, por një dron po përdorej për të "vlerësuar strukturën e ndërtesës derisa temperaturat të uleshin".
Ky ishte zjarri i dytë në parlament në më pak se një vit. Në mars pati një zjarr të shkaktuar nga një defekt elektrik.