Lajmet e fundit

Ç’kërkoni në shkencë – vetëm të vërteta...apo edhe zgjidhje?
Jam i interesuar që të mësoj për botën, se si funksionon bota. Po ashtu jam i interesuar në procesin e shkencës dhe punën që shkencëtarët e kanë bërë përgjatë shekujve, në mënyrë që të provoj ta kuptoj botën. Zgjidhjet janë të rëndësishme, dhe mendoj që arrihen nga ajo lloj dije por do të thosha që si shkrimtar përqendrohem më shumë në dije dhe në zbulime.
Thoni që truri njihet më së miri “kur shkon në rrugë të gabuar”? Pse?
Kjo është vetëm një e vërtetë e përgjithshme për shkencën, që nëse studioni një sistem të ndërlikuar që përbëhet nga shumë pjesë, ju mund të gjeni ca të dhëna të atij sistemi duke e nxjerrë një pjesë nga aty, dhe kjo është diçka që ndodh për shembull në gjenetikë. Një shkencëtar do që të dijë se si rritet bakteri nëse ai e heq një gjen të caktuar dhe ai e bën atë dhe pastaj e shikon se shikoni se çfarë ndodh, dhe ai dallim mund t’ia japë një të dhënë. E neuroshkencëtarët nuk e heqin një pjesë nga truri i dikujt, këto janë më shumë eksperimente natyrale që shkaktohen nga ndonjë lëndim në tru, nga ndonjë sëmundje e kështu me radhë, por neuroshkencëtarët mund të përfitojnë nga kjo sepse pjesët e trurit që janë të lidhura por janë deri diku të pavarura andaj, mund ta humbni korteksin tuaj vizual dhe të mbeteni gjallë, dhe ju ende mund të dëgjoni gjëra por nuk mund të shihni më sepse korteksi vizual vizual është thelbësor për shikimin por jo edhe për dëgjimin apo homeostazën.
Ç’fakt ju ka befasuar/frikësuar/ngazëllyer më së shumti për trurin?
Për sa u përket gjërave që më frikësojnë, do ta përmendja demencën. Alzhaimeri dhe format e tjera të demencës, që ende janë shumë të frikshme sepse jua marrin atë që ju jeni, dhe është po ashtu e frikshme që ka pasur përpjekje shumë të mëdha për trajtimin e tyre dhe ende nuk kemi trajtime efektive për Azhajmerin apo për llojet e tjera të demencës dhe kjo vjen edhe si pasojë që nuk i dimë shkaktarët e tyre, prandaj kjo është e frikshme. Ndërkaq, sa u përket gjërave që janë më misterioze, ne ende nuk e kemi një teori të fuqishme të vetëdijes me të cilën të gjithë pajtohen. Është qartazi një sfidë e madhe, dhe kjo sfidë vazhdon të ekzistojë.
Ç’na mëson bashkëpunimi që ndodh brenda trurit për bashkëpunimin që ndodh në shoqëri?
Mendoj që ka gjëra dhe formula që janë të vërteta për shumë sisteme komplekse, e ato sisteme komplekse mund të jenë neuronet në tru, mund të jenë milingonat në një koloni, apo mund të jenë njerëz në një shtet apo në një shoqëri, andaj, njëra prej gjërave që mund ta vëreni është që edhe nëse individualisht veprojmë vetëm në nivel lokal, në rrjetin tonë media, mund të ndodhin ndryshime të shkallës tejet të lartë në shoqëri si rezultat i kësaj. Ka gjëra që nevojiten të mësohen, se si procesohet informacioni në tru nga miliona neurone të cilat nuk mund të bëjnë asgjë vet. Por është e rëndësishme që të mos vemi shumë larg me këtë analogji sepse si individë jemi shumë më autonomë se sa vetë truri.
Prezantoni dilema etike, por nuk predikoni – ç’ju shkon ndërmend kur trajtoni tema të tilla?
E di që këto gjëra janë shumë të rëndësishme për njerëzit, me ç’rast duhet të adresohen. E shoh veten më shumë si gazetar si shkrimtar - nuk prezantoj polemika. Nuk jam politikan. Andaj, nuk nisem që t’i bind njerëzit për ndonjë platformë të caktuar. Kjo është thjesht mënyra se si kam vendosur që t’u qasem gjëra, por do të them që shumë shpesh them që mënyra se si politikanët dhe të tjerët flasin për këto probleme, e shfaqin një injorancë për shkencën –njerëzit flasin për jetën që nis nga ngjizja në një mënyrë që nuk përputhet fare me atë që e dimë nga biologjia. Andaj ende mendoj që ka shumë hapësirë për debat, por mendoj që është e rëndësishme që njerëzit t’i bazojnë debatet e tyre në fakte të vërteta dhe kjo vlen për ndryshimet klimatike dhe të gjitha sfidat tjera me të cilat përballemi si shoqëri.
Si mund të përmirësohet lidhja shkencë-politikë?
Mendoj që në një anë politikanët duhet në fakt të përpiqen që të mësojnë ca shkencë. Shumica e politikanëve nuk kanë trajnime shkencore dhe disa prej tyre madje edhe krekosen për këtë, fryhen për këtë gjë. Por në anën tjetër, mendoj që shkencëtarët nganjëherë kanë një lloj pafajësie që i karakterizon. Sillen sikur nganjëherë shkenca është tërësisht e ndarë nga politika dhe kjo nuk është e vërtetë. Konteksti politik dhe shoqëror mund të përcaktojë atë që vetë shkencëtarët vendosin ta studiojnë. Në një kuptim, ata mund t’i krijojnë pyetjet përgjigjet e së cilave i ndjekin shkencëtarët. Dhe po ashtu ndodh që shoqëria e zgjedh atë se çfarë shkenca ia vlen ta studiojë – me një fjalë tjetër: grantet. E këto janë vendime politike: a duhet të japim më shumë para për hulumtime në astronomi apo të japim më shumë para për hulumtime për kancerin? Këto janë një zgjedhje politike. Nuk ka gjë të keqe këtu, nuk ka asgjë përçmuese, por nëse pretendoni që në një mënyrë shkenca është e pafajshme dhe e pastër dhe disi mbi politikën, atëherë kjo nuk është e vërtetë.
Pandemia e kovidit, na ka afruar apo larguar me shkencën?
Ka qenë një përvojë e ndërlikuar, mendoj. Sigurisht, ka qenë një mundësi për njerëzit që të mësojnë se si funksion shkenca dhe njerëzit i kanë ndjekur të rejat mbi shkencën siç nuk kanë bërë më parë. Si gazetar i shkencës kam mundur ta shoh këtë drejtpërsëdrejti, dhe kjo ka qenë një gjë e mirë. Mirëpo, në anën tjetër mendoj që njerëzit sollën besime mbi shkencën të cilat nuk janë të sakta andaj kjo ka bërë që ata të deziluzionohen me atë se si funksionon shkenca. Për shembull, e pata vënë re shumë kohë para pandemisë që ka shumë njerëz që i respektojnë shkencëtarët por mendojnë që shkenca ka të bëjë krejtësisht me zbulimin e të vërtetave absolute – që shkencëtarët gjejnë diçka dhe ajo qëndron e ngulitur në një vend. Dhe, shkencëtarët vërtet zbulojnë gjëra se si funksionon bota, por vetë procesi mund të përfshijë mbledhjen e pak provave, bërjen e hipotezave, ajo hipotezë pastaj mund të rezultojë e gabuar. Mirëpo, një grumbull provash mund të çojë në një ide më të mirë, dhe nganjëherë gjërat marrin kahje të çuditshme, dhe më në fund dikush vjen me një ide të mirë që e shpie atë fushë shkencore në një drejtim të ri. Prandaj, kur shkencëtarët e ndryshojnë mendjen e tyre, disa njerëz pastaj ndihen që shkencëtarët paskan qenë duke gënjyer më parë, andaj ka njerëz që e kanë humbur besimin në shkencë dhe mendoj që kjo u pa edhe me punën e vaksinave, ku kishte disa njerëz të cilët u bënë skeptikë se si funksionon vaksina e kovidit dhe kjo pastaj u zgjerua edhe sa u përket vaksinave të tjera, dhe kjo është e tmerrshme. Do të ketë njerëz që do të sëmuren e të tillë që do të vdesin për shkak të humbjes së këtij besimi për të cilin do të thosha që bazohet shumë në keqkuptimin e mënyrës se si funksionon shkenca.
Pse ca janë arrogantë ndaj shkencës ndonëse i gëzojnë produktet e saj?
Është e vërtetë që shkenca është e përfshirë në krijimin e atyre gjerave që i përshkruat. Por sigurisht dhe gjithashtu veturat janë më efikase në lirimin e karbonit në atmosferë dhe në krijimin e ndotjes së madhe e që e dimë që ndotja e ajrit vret miliona njerëz në vit dhe pjesa më e madhe e ndotjes së ajrit vjen nga veturat, aeroplanët, gjërat që janë mundësuar nga shkenca andaj nuk mendoj që duhet të pretendojmë që shkenca është mbi kritikën sepse ka gjëra që krijon shkenca e që po ashtu mund të sjellin disa rezultate të këqija. Mendoj që shkencëtarët nuk duhet t’u përgjigjen këtyre konflikteve duke thënë “por jemi shkencëtarë dhe jemi të përsosur dhe besoni çfarëdo që ne themi”, nuk besoj se ndokush do ta pranonte këtë mirë.
A e ka bërë shkenca filozofinë të dalë kohe – a është urtia tash ekskluzivitet i shkencës?
Mendoj që shkenca e bën filozofinë më jetike se kurrë, dhe mendoj që shkencëtarët që nuk ndjekin mësime filozofie në kuadër të trajnimit të tyre për t’u bërë shkencëtarë, nuk i bëjnë vetes së tyre shërbim sepse pjesë e asaj që është filozofia është të menduarit për pyetjet e duhura që duhet shtruar dhe ta pyesni veten tuaj për vetë pyetjen tuaj dhe shkencëtarët mund të përfundojnë duke disejnuar eksperimente apo programe hulumtimi që kanë për të qenë problematike sepse nuk kanë reflektuar në bazat filozofike të punës së tyre.
Armiku më i madh i shkencës – injoruesi i saj apo pseudoshkenca?
I shoh si të lidhura. Njerëzit që e promovojnë pseudoshkencën, shumë prej tyre kanë diçka që duan t’jua shesin. Dikush që do t’ju tregojë dhe do t’ju gënjejë duke ju thënë qe vaksinat shkaktojnë autizëm, ndoshta është duke dashur që t’jua shesë disa pilula për të cilat ai pohon se mund ta trajtojnë autizmin e fëmijës suaj dhe natyrisht se ato pilula nuk e bëjnë këtë gjë. Ju mund ta shihni këtë qartë, kyçuni online dhe shihni ueb-faqe pas ueb-faqe ku njerëzi i promovojnë keqkuptimet e shkencës dhe kanë ca pseudoeshkncë që duan t’jua shesin, dhe në mënyrë që t’i fitojnë ata konsumatorë, ata duhet t’i bëjnë njerëzi që të besojnë në atë keqinformim.
Shkenca si viktimë edhe e qasjes “politikisht në rregull”?
‘Politikisht në rregull’ është një frazë që është përdorur në shumë mënyra të ndryshme dhe sinqerisht e kam ndërmend të mos dua të flas për këtë gjë në nivel abstrakt. Nëse dikush do që të flasim për ndonjë shembull të veçantë, për ndonjë situatë të veçantë, atëherë mund ta diskutoj atë rast, por nuk e shoh atë si diçka për të cilën mund të flas në një kuptim më të gjerë.
“Numrat e bëjnë të mundur jetën moderne” – Pse numrat? Pse modernen?
Në efekt, biseda cilën po e zhvillojmë përmes Skajpit është e mundësuar për shkak të të dhënave që po merren nga këta mikrofona dhe këto kamera e të cilat po konvertohen përmes ekuacioneve matematikore në një seri numrash, të cilat pastaj bëhen të kuptueshme për ne. Prandaj, kur mendoni për numrat si bazë të matematikës dhe matematika…është zor të mendosh për diçka në botën moderne krijimi i së cilës nuk është varur nga matematika
Sa do të ndikojë evoluimi i shkencës në vetë evoluimin tonë të përgjithshëm?
Mendoj që tentimi i parashikimit të së ardhmes së evolucionit është sikur të tentosh ta parashikosh motin që do të jetë mijëra vite prej tash. Ka shumë faktorë që përfshihen në rrugën e evolucionit për secilën specie dhe ka njerëz që u pëlqen të vijnë me pohime se evolucioni është në një rrugë e qartë, e parashikueshme dhe e vetme, por nuk ka prova se një gjë e tillë është e vërtetë. Dhe është magjepsëse të shohësh që specia jonë po evoluojnë - madje edhe më 2022 specia jonë po evoluon, por kjo thjesht nënkupton që varianca të caktuara gjenetike po bëhen më të shpeshta sepse po e bëjnë të mundur që të ketë më shumë pasardhës, por ka arsye të shumta ndryshe që njerëzit mund të kenë më shumë fëmijë apo nipër e mbesa dhe ato arsye mund të ndryshojnë nga viti në vit andaj të tentoni të bëni një parashikim se si do të jetë gjendja pas mijëra vitesh është e pamundur.
Mendja e zgjatur / ndërveprimi me internetin – më të mëdha dobitë apo pasojat?
E pata shkruar “Mendja e guglluar” (The Googled Mind) disa vite më parë dhe tashmë jemi plotësisht të integruar me kompjuterë saqë nuk ia vlen ta imagjinojmë veten tonë duke u ndarë nga ta në ndonjë mënyrë të thellë. Mendoj që teknologjinë do ta kemi këtu përherë. Prandaj, ajo që mendoj që duhet ta bëjmë, është që të mësojmë shprehi më të mira të përdorimit të tyre, ta kuptojmë se si punojnë, dhe jo vetëm se si mund të punojnë por edhe se si mund t’i afektojnë mendjet tona. Dhe mendoj që ne tashmë dimë shumë porse ka ende shumë gjëra që nuk i kuptojmë rreth kësaj.
Që nga koha kur e kam shkruar këtë artikull, ka pasur shumë pohime për rreziqet që mund të vijnë nga kompjuterët, por mendoj që shumica prej këtyre pohimeve nuk u kanë bërë ballë shqyrtimeve.
Ka përherë optimizëm dhe shpresë në artikujt tuaj – si t’i qasemi shkencës pozitivisht?
Mendoj që ka dhe mund të nxirrni shumë optimizëm nga eksplorimi i shkencës. Nganjëherë e shohim atë optimizëm nga dobitë që mund t’i kemi nga shkenca. Sado e keqe që ka qenë pandemia, vlerësohet të jenë shpëtuar miliona jetë tashmë përmes vaksinave. Andaj ne duhet ta ndiejmë njëfarë komoditeti. Duhet të inkurajohemi nga kjo gjë. Mirëpo, në të njëjtën kohë, nuk duhet t’ju nevojitet një vaksinë e re për t’jua dëshmuar shpresën që mund ta gjeni te shkenca. Ta zëmë një shkencëtar që studion një bretkosë duke kërcyer shumë lart. Edhe një gjë e tillë është magjepsës njashtu. Dhe po ashtu e pasuron të kuptuarit tuaj të botës të cilën e ndajmë së bashku me krijesat tjera. Andaj mendoj që ka shumë mundësi për optimizëm në shkencë, dhe nëse eksploroni atë.
