Lajmet e fundit

Dy vajza shqiptare, motra me njëra-tjetrën, kanë shkuar në polici dhe kanë denoncuar zhdukjen pa gjurmë të dy prindërve të tyre. Për herë të fundit i kanë takuar në fundin e tetorit, ndërsa policia italiane mësohet se e ka regjistruar shpalljen në kërkim të çiftit me datë 8 nëntor. Sipas të dhënave të para, bëhet me dije se kërkimet po bëhen në të gjithë vendet e Europës, ndërsa dy netë më parë ka qenë edhe një emision në “Rai 3” që ka bërë publike foton dhe të dhënat e çiftit të humbur prej më shumë se dy javësh. Nga mediat italiane mësohet se bëhet fjalë për Shpëtim e Teuta Pesho, të cilët kanë jetuar prej vitesh në zonën e Firencës dhe se herën e fundit bëhet e ditur se ata kishin marrë një apartament me qira në qytet dhe ishin zhdukur prej aty pa lënë gjurmë. Vajzat kanë thënë për mediat dhe për policinë se mendojnë më të keqen, ndërsa i habitshëm është fakti se telefoni i Shpëtimit ka qenë funksional rreth 3 ditë pas zhdukjes, ndërsa kohëve të fundit, sipas të dhënave, përgjigjet vetëm sekretaria telefonike.
Mediat italiane
Çifti shqiptar Shpëtim e Teuta Pesho prej dy javësh rezultojnë të humbur në territorin italian. Lajmin e zhdukjes së çiftit e kanë dhënë dy vajzat e tyre që jetojnë prej vitesh në Itali. Prej datës 1 nëntor, Shpëtim e Teuta Pesho nuk u përgjigjen thirrjeve telefonike të familjarëve dhe nga ata kanë humbur çdo gjurmë. Mësohet se çifti Pesho ka jetuar për një kohë të gjatë në komunën Kastelfiorito, në provincën e Firences, por pas humbjes së vendit të punës, ata janë transferuar në Shqipëri. Familjarët, të cilët kanë kryer edhe denoncimin e zhdukjes, tregojnë se vitet e fundit çifti vinte të jetonte dy muaj në vit në Itali, për të kryer kontrollet mjekësore dhe për asnjë arsye tjetër.
Sipas të dhënave të policisë saktësohet se kanë mbërritur më datën 1 tetor në qytetin e Firences duke marrë një apartament me qira ndërsa vajzat kanë tregojnë se të shtunën, më datën 31 tetor, kishin kaluar gjithë ditën së bashku, ku kanë shëtitur dhe në tregun e qytezës. Atë natë e kanë kaluar tek një i afërm i tyre në këtë qytezë dhe të nesërmen në mëngjes janë dëgjuar në telefon me vajzat, ku kanë informuar se do të ktheheshin në Firence në apartamentin e tyre. Fakt ky që ka ndodhur por mësohet se ata kanë marrë gjithçka dhe janë larguar nga shtëpia. Ose të paktën ky është versioni që ka dhënë e zonja e shtëpisë e cila iu ka thënë vajzave të tyre se kanë marrë valixhet dhe gjithçka të tyren dhe kanë ikur pa komunikuar me askënd.
Rrëfimi i vajzave
“Il Tirreno” është media lokale e Fiorentinës që ka biseduar me dy vajzat shqiptare, të cilat kanë rrëfyer gjithë hallin e tyre të zhdukjes së prindërve: “Ishin të qetë, e nuk i shqetësonte asnjë problem i rëndësishëm. Nga takimi dhe bisedat, që datojnë 31 tetorin, nuk kemi më asnjë kontakt me prindërit tanë. Prindërit tanë janë zhdukur. Jemi të shqetësuar. Kemi menduar gjithçka e nuk arrijmë ta kuptojmë se ku mund të jenë. Në apartamentin me qira në qytetin e Firences, e zonja e shtëpisë na ka informuar se prindërit morën gjithçka e nuk ka lënë asgjë në apartament, as valixhe, as para e as dokumente. Po ku kanë shkuar? Prindërit nuk kanë makinë dhe në Firence kanë mbërritur me autobus. Fillimisht dyshuam për një udhëtim të tyre tek të afërmit në Gjermani, por kjo hipotezë nuk u vërtetua, e tashmë nuk dimë ku t`i kërkojmë më”. /shekulli