Lajmet e fundit

Korridori i shkollës së Shipashnicës së Poshtme është i mbushur me inventarë të çerdhes. Ato janë grumbulluar aty nga banorët që kanë liruar klasat për të zhvilluar mësim në objektin ku qeverisja e ish-kryetarit Qëndron Kastrati, e kishte planifikuar ta përshtatë për kopsht.
Plani në kuadër të reformës ishte kundërshtuar edhe me protesta, por tashmë nxënës, mësimdhënës e prindër kërkojnë që inventarët të largohen nga objekti.
Të vegjlit thonë se ndihen të rrezikuar meqenëse çdo ditë duhet të kalojnë në atë pjesë, ndërkaq mësimdhënësit e konsiderojnë përgjegjësi pasi duhet ti ruajnë fëmijët të mos lëndohen në to.
E nga këshilli i prindërve që muaj më parë i kanë vendosur vetë aty, sugjerojnë që komunarët e sapo zgjedhur ti marrin inventarët ti përdorin në çerdhet e planifikuara për ti hapur.
Diçka të tillë kanë menduar edhe në qeverisjen e re lokale. Ata thonë se të njëjtat mund ti përdorin për çerdhen në Koretin, ndërkaq nga objekti do ti largojnë kur të merret vendimi për hapjen zyrtare të shkollave që ishin në proces të reformës.
Sipas ish-shefit të kabinetit të Qëndron Kastratit, Meriton Ramabaja, vetë hapja e kësaj shkolle është e jashtëligjshme, teksa për inventarët tha se është dëmtim me paramendim i pronës së institucionit.