Ish-kryeparlamentari Kadri Veseli ka nisur fjalimin në Gjykatën Speciale në Hagë, raporton Klan Kosova.
Veseli nisi deklaratën i prerë dhe i qartë se e vërteta do të triumfojë.
Ai tha se ka një pikë të vetme, fort të rëndësishme, që kjo gjykatë të mbrojë drejtësinë dhe të jetë e paanshme, raporton Klankosova.tv
“Po ju drejtohem me një pikë të vetme, Gjykata duhet me çdo kusht të mbrojë drejtësinë, të vërtetën dhe paanësinë. I kam shërbyer gjithë jetën time vendit tim, që çdo qytetar të gëzojë drejtësi dhe bota ta njeh të vërtetën. Edhe në momentet më të errëta, nuk e humba kurrë besimin se e drejta, e vërtetat dhe liria do të triumfonin.”
Tutje, Veseli u shpreh se asnjëherë nuk ka besuar në dhunë dhe urrejtje, sepse sipas tij liria nuk mund të arrihet nëpërmjet padrejtësisë, e as paqja nuk mund të ndërtohet mbi krim.
Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës në fjalën e tij përfundimtare në Hagë tha se ZPS-ja nuk ka asnjë provë që tregon se ai ka kryer ndonjë krim.
“E di çfarë do të thotë të jetosh nën kërcënim të vazhdueshëm, një përvojë që s’ia dëshiroj askujt. Kam mësuar një të vërtetë, në padrejtësi, njeriu duhet të ruajë integritetin moral dhe vlerat themelore humane. Disa mund të pyesin nëse këto janë vetëm fjalë apo nëse pasqyrohen në jetën dhe veprimet e mia. Përgjigjja është e qartë, jo vetëm në fjalët e mia, por mbi të gjitha në provat e paraqitura para kësaj gjykate. Pas dekadash hetimesh, nuk ka asnjë provë që të tregojë se kam kryer ndonjë krim. Nuk u provua asnjë veprim nga ana ime”, deklaroi Veseli, njofton Klankosova.tv.
Mes tjerash, Veseli ishte i qartë në diçka se jeta e tij nuk do të kishte kuptim vetëm nëse populli mund të jetonte në liri.
“Terrori dhe masakrat si ato në Srebrenicë filluan me ndodhë edhe në vendin tim, në Kosovë. S’mund të qëndroja indiferent. Jeta ime kishte kuptim vetëm nëse populli im mund të jetonte në liri, prandaj u ktheva në Kosovë. Jo si ushtar i trajnuar, por si student."
Prandaj, ai është shprehur i bindur se drejtësia mund të vonohet, por jo të mohohet, sepse siç tha ai, “e di kush është dhe çfarë ka bërë, njofton Klankosova.tv.
“Krijimi i kësaj gjykate është rezultat i një debati të gjerë në vendin tim, por mbi të gjitha, ajo që duhet të mbizotërojë prej saj është drejtësia dhe paanshmëria në gjykimin e së vërtetës dhe në realitetin objektiv në të cilin kemi vepruar. Qëndroj këtu me bindje dhe me besim se e vërteta nuk ka arsye të ketë frikë nga drejtësia, dhe se drejtësia mund të vonohet, por nuk mohohet kurrë. Kam jetuar me këtë bindje. E di kush jam, e di çfarë kam bërë dhe çfarë nuk kam bërë”, deklaroi ish-komandanti i UÇK-së.
Veseli tha se e vërteta e luftës së UÇK-së nuk ka frikë nga drejtësia, duke e përmendur tutje gjenocidin serb në Kosovë.
“Tragjedia në Prekaz më 5,6 dhe 7 mars 1998, nuk ka qenë një akt i izoluar, por vazhdim i masakrave të kryera prej forcave serbe. Aktet të tilla terrori tejkaluan frikën normale të popullit të thjeshtë, dhe drojën e politikanëve dhe intelektualëve në Kosovë.”
Në përmbyllje të fjalës së tij, Kadri Veseli ka uruar Pavarësinë e Kosovës, dhe përshëndeti përzemërsisht qytetarët e vendit, transmeton Klankosova.tv.
”Urime Pavarësia, ta gëzoni qytetarë të Republikës së Kosovës lirinë, zoti e ndihmoftë Kosovën dhe njerëzit e saj të mirë”, tha Veseli.
Në fund, ai bëri një përshëndetje të veçantë për familjen dhe mbrojtësit e tij. /Klankosova.tv
https://www.youtube.com/watch?v=2wAranZ2MdQ