Lajmet e fundit
Walter Zenga, ish trajneri i Palermos dhe Sampdorias, pretë që Shqipëria të luajë një ndeshje të fortë ndaj Francës.

Ish-portieri legjendar italian, Walter Zenga, ka analizuar ndeshjen e parë të Kombëtares ndaj Zvicrës. Ai mendon se kuqezinjtë luajtën mirë, ndërsa një gjë të tillë pret edhe në sfidën ndaj Francës.
“Ndeshja e parë me Zvicrën ishte penalizuar në 20 minutat e para ku erdhi dhe goli. Kjo ndikoi më pas në mbarëvajtjen e takimit, por pastaj Shqipëria luajti mirë edhe me një lojtar më pak. Dalja e Canës ishte e vështirë për t’u pranuar nga pjesa tjetër e skuadrës sepse kartoni i parë erdhi në një faull në mesfushë. Kishin shumë raste për të barazuar ndeshjen. Të mërkurën jam i sigurt ata do të bëjnë një ndeshje të mirë”, u shpreh ai. Legjenda italiane foli edhe për Etrit Berishën, i cili bëri një dalje të pamenduar në rastin e golit të zviceranëve. Zenga këmbëngul se gardiani kuqezi është një portier i mirë. “Berisha është një portier i mirë, një gabim mund të qëllojë për një portier. Në fund kujtohet gabimi dhe jo gjërat e mira që bëhen në një takim. Ai gjithsesi është një portier i mirë”, vijoi italiani. Nuk mund të mungonte një vlerësim edhe për punën e dy trajnerëve të ekipit, De Biasit e Tramezzani, në stolin e kombëtares shqiptare. “Fola më parë me De Biasin dhe Tramezzanin jam shumë i lumtur për ta, kanë bërë një gjë të madhe, jam krenar për ta dhe i lumtur që i shoh në fushë. Shqipëria duhet të bëjë atë që ka bërë deri më tani, është në rrugë të mbarë”, e përfundoi Zenga.