Lajmet e fundit

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka vizituar Khersonin, disa ditë pasi qyteti u çlirua.
Ai foli me ushtarët e mbledhur në Khreson, duke thënë se Ukraina "po ecën përpara" dhe është gati për paqe.
Humbja e Khersonit, e marrë në fazat e hershme të pushtimit, është një pengesë e madhe për Rusinë.
Moska e kishte shpallur atë qendër administrative të rajonit Kherson të aneksuar ilegalisht, raporton BBC.
Khersoni u kap në muajin mars. Rajoni atëherë ishte një nga katër rajonet që u aneksuan ilegalisht pas referendumeve që u mbajtën në shtator.
Në një ceremoni në Moskë, presidenti rus Vladimir Putin tha se aneksimi i Luhanskut, Donetskut, Zaporizhzhias dhe Khersonit ishte "i panegociueshëm".
Por në javët në vijim Ukraina filloi të fitonte në jug të vendit, duke përparuar përgjatë lumit Dnipro drejt Khersonit dhe duke i vënë forcat ruse nën presion.
Më në fund, forcat ruse u tërhoqën dhe trupat ukrainase hynë në qytet të premten.
Vendasit u panë duke festuar, disa të ribashkuar me të dashurit që nuk i kishin parë për muaj të tërë. Gjendja në qytet ishte gëzim dhe lehtësim, por edhe drithërimë dhe frikë nga ajo që mund të vijë më pas.
Në vizitën e tij të hënën, Zelensky u tha trupave se Ukraina është "gati për paqe për të gjithë vendin".
Ai falënderoi NATO-n dhe aleatët e tjerë për mbështetjen e tyre në luftën kundër Rusisë, duke shtuar se sistemet raketore të artilerisë me lëvizshmëri të lartë (Himars) nga Shtetet e Bashkuara kishin bërë një ndryshim të madh për Kievin.