Lajmet e fundit

Një ekip shkencëtarësh polakë kanë zbuluar një mumje egjiptiane shtatzënë të balsamosur.
Zbulimi u bë nga studiuesit që ishin pjesë e projektit “Mumjet e Varshavës” dhe u publikua në Journal of Archaeological Science.
Projekti, i filluar në 2015-ën, përdor teknologjinë për të ekzaminuar arte-fakte të vendosura në Muzeun Kombëtar në Varshavë. Gruaja më parë mendohej të ishte një prift mashkull por skanimet zbuluan se ishte një grua në fazat e vonshme të shtatzënisë, transmeton tvklan. Ekspertët nga projekti besojnë se ka shumë të ngjarë që mbetjet të jenë të një gruaje me status të lartë, të moshës midis 20 dhe 30 vjeç, 7 muaj shtatzënë e cila vdiq gjatë Shekullit të parë para Krishtit.
Duke përdorur perimetrin e kokës së fetusit, ata vlerësojnë se ishte midis 26 dhe 30 javë kur nëna vdiq për arsye të panjohura.
“Ky është zbulimi ynë më i rëndësishëm dhe më domethënës deri më tani, një befasi totale”, tha për Associated Press anëtari i ekipit Wojciech Ejsmond i Akademisë Polake të Shkencave.
Katër organe të mbështjellura dhe të balsamosura, u gjetën brenda zgavrës së barkut të gruas, por shkencëtarët thonë se fetusi nuk ishte hequr nga mitra. Shkencëtarët thanë se ishte e paqartë pse nuk ishte nxjerrë dhe balsamuar veçmas, por besimet shpirtërore për jetën e përtejme ose vështirësitë fizike me heqjen mund të kenë kontribuar.
Studiuesit e kanë quajtur gruan si “Zonja misterioze e Muzeut Kombëtar në Varshavë” për shkak të origjinës kontradiktore së saj.