Lajmet e fundit

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, në solemnitetin për shënimin e “Ditës së Republikës” – 2 Gushtin në kishën “Shën Spasi”, apeloi “që për të ardhmen e Maqedonisë të tejkalojmë të kaluarën dhe të tashmen”. Ai theksoi se historia dhe e kaluara janë themelet e forta me anë të të cilave filluan të ndërtojnë të ardhmen evropiane dhe euro-atlantike të Maqedonisë, raporton AA, përcjellë Klan Kosova.
Zaev në shënimin e kësaj feste ishte i shoqëruar nga homologu i tij bullgar, Bojko Borisov, të cilët bashkarisht vendosën kurora me lule në varrin e Goce Dellçevit. Sipas kryeministrit Zaev, Maqedonia dha shembullin se si duhet të ecet përpara, duke theksuar se, “Maqedonia zgjati dorën dhe dora u shtri për të. Bullgaria tregoi përgjegjësinë e njëjtë për qëllime të përbashkëta”.
Gjeneratat tona kaluan nëpër sfida dhe luftuan për të drejtën, për liri dhe për jetë njerëzish. Gjeneratat tona zgjodhën dhe mbrojtën të ardhmen e lirë dhe ne jemi nisur drejt një të ardhme stabile. Rruga e Maqedonisë më në fund është e hapur, të jeni të gjithë krenar për këtë sukses. Suksesi nuk është i një njeriu, ne erdhëm së bashku, maqedonasit, shqiptarët, turqit, serbët, vllehët, boshnjakët dhe të tjerët. Suksesi nuk është i një grupi apo partie politike, ramë dhe u ngritëm bashkarisht. Suksesi është i përbashkët nga të gjithë, pavarësisht fesë, etnisë, gjinisë apo besimit. Suksesi është i kësaj Maqedonisë sonë”, deklaroi Zaev.
Kryeminstri Borisov qëndron për vizitë në Maqedoni nga dita e djeshme, me ç'rast nënshkroi edhe Marrëveshjen për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me homologun e tij maqedonas. Ai pas solemnitetit në kishën “Shën Spasi”, bashkë me delegacionin qeveritar të Bullgarisë, do të udhëtojë për në Sofje.