10.02.2017 · përditësuar para 3459 dite1 min lexim
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka thënë në një tribunë me temën “Plani i Ahtisaarit dhe tezat e Vetëvendosjes”, se Kosovës i duhet një Kushtetutë e re, njofton Klan Kosova.
Ymeri tha se Kushtetuta e re e Kosovës nuk do të duhej ta merrte parasysh Pakon e Martti Ahtisaari – mbi bazën e se cilës është e ndërtuar Kushtetuta aktuale e Kosovës.
Sipas liderit të Vetëvendosjes në këtë mënyrë do të mundësohej edhe sovraniteti i plotë i vendit.
Në këtë tribunë ka folur edhe deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Ai ka thënë se pakoja e Ahtisaarit i ka shkaktuar Kosovës shumë padrejtësi.
Sipas Kurtit, ndër më të theksuarat janë dhënia e privilegjeve për Serbinë, pastaj mundësimi që trashëgiminë kulturore të Kosovës ta prezantojnë si të veten dhe një decentralizim i bërë në baza etnike.
Ish-lideri i Vetëvendosjes pohoi se dëme të tjera të shkaktuara nga plani i ish-presidentit finlandez është edhe betonimi i sundimit ndërkombëtar në Kosovë si dhe shuarja e TMK-së e mohimi që ajo të armatosje siç i takon një ushtrie.
Edhe Kurti, por edhe Ymeri kanë folur për vrasjen e para dhjetë vjetësh të Mon Balajt e Arben Xheladinit në protestën e dhjetë shkurtit.
Ata kanë thënë se Balaj e Xheladini janë pjesë e sakrificës së përgjithshme për një shtet të mirëfilltë.
klankosova.tv
●●●
Shpërndaje këtë artikull
L
SHKRIMI NGA
L
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.