Visar Ymeri: E drejta për t’i përbashkuar këto kompetenca në një instancë më të lartë se niveli lokal, e më të ulët se ai qendror, e bën Zajednicën pushtet të tretë, autonom, në dëm të Kosovës dhe kundër Republikës.
29.08.2015 · përditësuar para 3991 dite2 min lexim
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, e ka ftuar në një debat publik Kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa, për të diskutuar për “Zajednicën, dëmin që ajo e shkakton, dhe rrezikun që i kanoset Kosovës nga ajo”, njofton Klan Kosova.
“Mediumin dhe gazetarin le ta zgjedh ai se kështu është mësuar”, ka shkruar Ymeri në llogarinë e tij në Facebook.
Duke e komentuar intervistën e mbrëmshme të Mustafës në RTK, Ymeri ka shkruar se “Isa Mustafa për asnjë moment nuk e foli të vërtetën për Marrëveshjen”.
“Pse paska nevojë për një Marrëveshje kompromisi për ta zbatuar Kushtetutën? Nëse është kështu që komunat me shumicë serbe e paskan pranuar zbatimin e Kushtetutës së Republikës”.
I pari i Lëvizjes Vetëvendosje ka ritheksuar edhe një herë se “e drejta për t’i përbashkuar këto kompetenca në një instancë më të lartë se niveli lokal, e më të ulët se ai qendror, e bën Zajednicën pushtet të tretë, autonom, në dëm të Kosovës dhe kundër Republikës”.
Ky është postimi i plotë i Ymerit: Në emisionin e mbrëmshëm në RTK Isa Mustafa për anjë moment nuk e foli të vërtetën për Marrëveshjen. Herë thoshte se Zajednica nuk ka kompetenca ekzekutive, e pastaj thoshte se edhe ashtu komunat me shumicë serbe kanë pasur më shumë kompetenca se sa komunat tjera. Që i bie se e drejta për t’i përbashkuar këto kompetenca në një instancë më të lartë se niveli lokal, e më të ulët se ai qendror, e bën Zajednicën pushtet të tretë, autonom, në dëm të Kosovës dhe kundër Republikës. Thoshte se marrëveshja është kompromis, dhe pastaj kthehej e thoshte se është në përputhje të plotë me Kushtetutën, që i bie që Marrëveshja na qenka një detajizim juridik i zbatimit të të drejtave të caktuara tashmë të garantuara me të. Pse paska nevojë për një Marrëveshje kompromisi për ta zbatuar Kushtetutën? Nëse është kështu që komunat me shumicë serbe e paskan pranuar zbatimin e Kushtetutës së Republikës!, dhe se Serbia e paska pranuar në mënyrë indirekte Republikën e Kosovës!, atëherë këtu nuk kemi kompromis, por fitore bindëse të Republikës së Kosovës.
Në vend se të kërcënojë me gjuhë ‘burrnie’, Isa Mustafa duhet ballafaquar me argumente. Prandaj e ftoj në një debat publik për të diskutuar për Zajednicën, dëmin që ajo e shkakton, dhe rrezikun që i kanoset Kosovës nga ajo. Mediumin dhe gazetarin le ta zgjedh ai se kështu është mësuar.
klankosova.tv
●●●
Shpërndaje këtë artikull
L
SHKRIMI NGA
L
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.