Takimi prej më shumë se një ore i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama me zëvendësndihmës sekretarin Hoyt Brian Yee ka qënë përgjithësisht takim kortezie.
Yee i cili është në prag të lënies së detyrës, ka falenderuar qeveritë shqiptare për mbështetjen për kauzën e luftëtarëve mek, një çështje e ndjeshme për Uashingtonin.
Burime nga takimi thonë se përtej zërave në disa media, nuk ka një paketë amerikane për zgjidhjen e krizës në Tiranë, përtej asaj që u ofrua nga McAllister.
Zv.ndihmës sekretari Yee sipas burimeve në takim vlerësoi disponibilitetin e qeverisë për të gjetur pika takimi me opozitën, por ndërkohë u njoh me qëndrimin e kryeministrit se tashmë nuk është e mundur as shtyrja e zgjedhjeve disa javë.
Makina elektorale socialiste ka ndezur motorët ditë para 18 majit, e enjte, ditë kur fushata fillon zyrtarisht. Në të njëjtën ditë edhe Kolegji Zgjedhor jep vendimin për kërkesën e opozitës për pavlefshmërinë e afatit të regjistrimit të listave për deputetë nga maxhoranca.
Në një shenjë se kjo është pika e fundit e mbetur pa derdhur nga vota e krizës, Lulzim Basha që takon Yee rreth orës 15.00 të ditës së hënë paralajmëroi sërish gjykatësit për vendimin që duhet të japin.
Pritshmëritë e takimit të zyrtarit të Departamentit të Shtetit, i cili pas kryeministrit takoi edhe kreun e Kuvendit Ilir Meta, janë kështu të ulëta. Ilir Meta dhe LSI kanë qenë hermetik lidhur me takimin me zyrtarin e lartë amerikan.
Burime nga takimi thonë se presidenti i zgjedhur ka shprehur të njëjtin qëndrim se LSI është e gatshme të bëjë gjithçka për arritjen e një marrëveshjeje dhe futjen e opozitës në zgjedhje.
Por, mesa duket, ndërkombëtarët janë bindur më herët sesa opinioni publik vendas se opozita nuk lëviz nga vendimi i saj për të mos hyrë në zgjedhje.
Zgjedhje që, siç tha dhe Hoyt Brian Ji të dielën nga Budva, për amerikanët do të jenë në çdo rast legjitime, shkruan TCH, përcjellë Klan Kosova.
●●●
Shpërndaje këtë artikull
SZ
SHKRIMI NGA
Sh Z
Editorial nga Klan Kosova — ndjek lajme dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.