Lajmet e fundit

Besimtarët myslimanë të Palestinës shkuan në xhami për t’u lutur të premten e fundit të Ramazanit, por shumë prej tyre u lënduan pas përleshjeve me policinë izraelite.
Të paktën 163 prej tyre dhe gjashtë policë izraelitë përfunduan me lëndime pas përplasjeve të ashpra mes këtyre dy palëve në xhaminë Al-Aksa të Jerusalemit.
Gjuajtjet me plumba gome dhe granata gazi nga policia izraelite e vërshuan këtë tempull fetar, derisa palestinezët iu përgjigjen me gurë dhe shishe.
Tensionet mes të dyja palëve u rritën për shkak të dëbimit të mundshëm prej shtëpive të tyre të palestinezëve nga ardhacakët hebrenj.
Pas incidentit fuqitë europiane kanë kërkuar nga Izraeli që të ndalojë ekspansionin territorial në vendet e okupuara.
Edhe Turqia pati reagim të ashpër ndaj ndërhyrjes së policisë izraelite, transmeton Klan Kosova.
Ministri i Punëve të Jashtme, Mevlut Çavusoglu, ka deklaruar se është çnjerëzore për Izraelin të vërë në shënjestër të pafajshmit duke u lutur gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.
Kompleksi i xhamisë Al-Aksa në Qytetin e Vjetër të Jerusalemit është një nga vendet më të respektuara të Islamit, por është gjithashtu një vend i shenjtë hebre i njohur si Mali i Tempullit.