Stinorit 2024-25 të Superligës së Kosovës në futboll po i vjen fundi.
Ndonëse skuadra kampione veçse është përcaktuar tashmë, me Dritën që zë vendin e parë në tabelë me 70 pikë nga 34 xhiro, janë skuadrat tjera që luftojnë për synime tjera. Dhe që të bëjnë ndonjë ndryshim, skuadrat kanë vetëm edhe dy xhiro.
Përballja mes vendit të dytë, Ballkanit, dhe Llapit që gjendet në vendin e 8-të, mund të konsiderohet si një prej ndeshjeve më interesante të kësaj jave, pasi skuadra nga Podujeva po synon të shmangë barazhin, raporton Klankosova.tv.
Feronikeli, që ka kohë që “i ka larë duart” nga Superliga, do ta presë Prishtinën. Ndonëse në letër duket pengesë e lehtë për skuadrën nga kryeqyteti, vlen të theksohet se skuadra nga Drenasi e ka mposhtur një herë Prishtinën këtë sezon, ndonëse është mposhtur në dy herët tjera.
Prishtina këtë sezon ka treguar rezultate të dobëta, duke arritur të arkëtojë 44 pikë nga 34 xhiro dhe aktualisht gjendet në vendin e 7-të, vetëm 3 pikë mbi Llapin.
Drita ndërkaq do të jetë mysafire e Gjilanit, në derbin më të madh lokal që njeh historia e futbollit vendor.
Ndonëse Drita veçse e ka siguruar pjesëmarrjen në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, synim për garat evropiane ka edhe Gjilani, skuadër kjo e cila gjendet 3 pikë nën Malishevën e vendit të tretë, pozitë kjo që çon në kualifikimet e Ligës së Konferencës.
Suhareka ndërkaq do të shpresojë të marrë tri pikë të vlefshme në Malishevë, të cilat do ta bënin atë të dilte nga zona e kuqe.
Këto janë përballjet e sotme të AlbiMall Superligës së Kosovës në futboll:
Dukagjini-Ferizaj (Sport3)
Ballkani-Llapi (Sport2)
Feronikeli-Prishtina (Sport4)
Gjilani-Drita (Sport1)
Malisheva-Suhareka (Sport5)
Për ata që s’do të kenë mundësi t’i ndjekin ekipet e tyre të preferuara nga tribunat, këtë mund ta bëjnë nga komoditeti i shtëpisë përmes kanaleve sportive të platformës televizive Artmotion.
●●●
ASHKRIMI NGA
A
Editorial nga Klan Kosova — ndjek sport dhe zhvillimet e tjera kryesore të vendit.