Lajmet e fundit

Dashuria në letërsi, një megatemë komplekse apo aq e thjeshtë dhe e kapshme siç na e rrëfen shkrimtari kirgizian, Xhingis Aitmatov, me novelën e tij “Xhamilja”!
“Betohem, është historia e dashurisë më e bukura në botë.” Kjo fjali e poetit francez Louis Aragon, qëndron në kopertinën e çdo botimi të novelës “Xhamilja” të shkrimtarit kirgizian Xhingis Torekuloviç Aitmatov. Është vërtet rrëfimi më i bukur i globit apo kemi të bëjmë, siç pandehte kritika e kohës, një aksion i mjerë i komunistit perëndimor (Aragon) për ta piedestalizuar me çdo kusht artin socrealist sovjetik (të cilës rrymë i përkiste edhe vetë) nëpërmjet yllit të saposhfaqur brenda institutit “Gorki” (Aitmatov).
Vërtet si duken Xhamilja dhe Danijari nga katundi stepor Aul përballë megarrëfimeve, romancave si ai i Karitonit nga Afrodizia për Kairean dhe Kalliroen (shekulli i parë para erës sonë); si ai i Akilit të Taitosit mbi Leukipen (shek. II); Longusit mbi Dafnën (shek. III); Maxhnunit mbi Lailan (shek. VII); si duket Xhamilja përballë Lotte-s së Goethes, Jane Eyre-s së Brontës, si duket Danijari përballë Adam Bede-s së Eliotit, Doktor Zhivagos së Pastërnakut e sidomos Werther-it dhe gjithë atyre figurave monumentale e të shumta të letërsisë universale? Pikërisht ky ekskursion imi, i cili u nxit automatikisht pas kërkesës së kryeredaktores së revistës “Saras”, Alda Bardhyli, për të shkruar mbi romancën më të pëlqyer, respektivisht dashurinë në letërsi, është edhe defekti, gabimi që ne bëjmë sa herë kur përballemi me dashurinë si megatemë të kështuqenies së humanitetit.
Ne menjëherë i përvishemi rrugëtimit, historisë së letërsisë, mitologjisë, doktrinave, psikologjisë, teologjisë, filozofisë, arteve e biologjisë, duke kërkuar shembuj krahasues për ta shpjeguar një dashuri që ipso facto saora e humb autonominë, origjinalitetin dhe falsifikon perceptimin tonë ndaj saj, ngase e lexojmë me kode të huazuara historish, rrethanash e frymësh të tjera dashurie. Këtë gabim si duket nuk e ka bërë Aitmatov gjatë vendimit për ta shkruar “Xhamiljen” si temë diplome në institutin “Gorki”. Nëse e ka bërë me program, atëherë e ka njohur poezinë manifest “Ango Laïna” të gjermanit Rudolf Blümner (1921), nëse e ka shkruar drejt nga fryma, ndjenjat e në letër, dhe kështu duket pa kërkuar imitate e referenca, atëherë ka kuptuar çelësin, të cilin nuk e kanë kapur autorë edhe shumë “më të mëdhenj” se ai të letërsisë universale.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni më poshtë:
http://www.gazeta-shqip.com/lajme/2016/01/18/xhamilja-ose-puropoetika/