Lajmet e fundit

Besimtarët myslimanë të martën kremtojnë festën e Kurban Bajramit.
Klan Kosova do të sjell drejtpërdrejtë faljen e namazit nga Xhamia " Haxhi Ibrahim Devolli" në Pejë.
Kjo festë karakterizohet me therjen e kurbanit dhe me shkuarjen në haxh, por për shkak të situatës me pandeminë haxhinjtë nga Kosova nuk mundën të shkonin në Mekë dhe Medinë.
E se si kanë shkuar përgatitjet për ceremoninë e faljes së "Bajramit të vogël" për Klan Kosova ka treguar imami i kësaj xhamie Kushtrim Kelmendi.
"Po ne i kemi marrë të gjitha masat përgatitore për faljen e namazit të "Kurban Bajramit". Fillimisht e kemi përgatitur xhaminë duke e pastruar në mënyrën më të mirë. Më pas kemi krijuar hapësirë në pjesën e jashtme që për shkak të fluksit të madh të kenë hapësirë që të falen".
"E kemi rregulluar çështjen e zërimit dhe të gjitha përgatitjet e tjera që falja e namazit të Kurban Bajramit të shkojë sa më mirë".
Kelmendi tregoi edhe për programin që do të mbahet para faljes së Bajramit.
"Ne duke filluar nga orët e hershme të mëngjesit duke filluar në ora 04:30 do të thirret ezani i faljes së namazit të sabahut dhe pastan në ora 04:40 do të fillojë falja e farzit të namazit të sabahut. Pastaj do të fillojmë me programin. Do të jetë me neve ilahisti i mirënjohur Adem Ramadani, i cili do të na shoqërojë me ilahitë nga ora 5:00 deri në ora 5:30. Pastaj kryeimami i Pejës do të mbajë një ligjeratë 20 minutëshe. Pastaj unë si kryeimam i kësaj xhamie do ta drejtojë xhematin në faljen e namazit të Kurban Bajramit. Më pas hytben do ta mbajë kryeimami i Pejës z. Musli Arifaj".