Lajmet e fundit

Talat Xhaferi nesër pritet të bëhet kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
Ndonëse kryeministër i një qeverie teknike, gazetari Arben Ratkoceri këtë e sheh si një ngjarje historike për shqiptarët.
Në një lidhje direkte nga Shkupi në Klan Kosova, ai ka thënë se në Maqedoninë e Veriut kanë ndryshuar rrethanat politike the se tani një shqiptar mund të arrijë të bëhet edhe kryeministër.
“Ndoshta do të duket pak patetike, por unë kam lindur dhe rritur shumë afër këtij objekti. Mu në këtë kuvend të Maqedonisë, në adoleshencën time janë prodhuar ligjet më anti-shqiptare. Ligji për ndalimin e pagëzimit të fëmijëve me emra shqip, lejoheshin vetëm emra arap ose turk, ligji për ndalimin e flamurit ose ligji tjetër për mbylljen e shkollave në gjuhën shqipe”, ka thënë Ratkoceri.
Tutje, ai ka thënë se tani në një distancë kohore ndoshta jo shumë të madhe, mu në këtë objekt nesër pritet që të zgjidhet kryeministri i parë shqiptar - i votuar nga vetë shqiptarët.
“Po kjo është simbolike realisht sepse do të jetë një qeveri teknike, po megjithatë, porosia është si të thuash për gjeneratat tjera shumë me rëndësi sepse në Maqedoni kanë ndryshuar rrethanat politike dhe një shqiptar mund të arrijë të bëhet edhe kryeministër i Maqedonisë, ndërsa për poste tjera të niveleve tjera ka kohë që shqiptarët vetëm kanë arritur që të drejtojnë shumë institucione në këtë vend”, ka shtuar ai.
“Pra Maqedonia e Veriut realisht sa i përket marrëdhënieve ndëretnike apo raporteve mes maqedonasve dhe shqiptarëve nuk mund të themi që janë të barabarta, ka akoma çështje të tjera që duhet të rregullohen, por megjithatë avancimi i shqiptarëve të Maqedonisë sa i përket sistemit juridik të këtij vendi është goxha i theksuar dhe frytet mund të vërehen”, është shprehur gazetari Arben Ratkoceri.