Lajmet e fundit

Protestuesit që kanë marrë pjesë në tubimin e thirrur nga partitë opozitare – Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA – kanë mbajtur në duar një pankartë mjaft interesante.
Ata kanë ironizuar me kryeministrin Isa Mustafa, zëvendësin e tij Hashim Thaçin dhe kryekuvendarin Kadri Veseli, duke i bërë ata bashkë në një pankartë e cila mbante emrin e filmit hollywood-ian “Wrong Turn” (Kthesa e gabuar).
“Wrong Turn Zajednica”, është slogani të cilin aktivistët opozitarë e kanë shkruar në njërën nga pankartat me të cilat po protestonin.
Në një tjetër përshkrim ku ironizohet me liderët e vendit, në këtë pankartë që ngjan me kopertinën e CD-së së një filmi shkruhet:
“Për çfarë bën fjalë filmi? Që t’i jenë besnikë Serbisë, tre liderë të korruptuar të qeverisë, kanë arrestuar dhe e kanë terrorizuar popullin të cilët po e mbrojnë shtetin e tyre. Shtetin në të cilin 16 vjet më parë Serbia ka vrarë e masakruar me qindra njerëz të pafajshëm”.
Në këtë pankartë të opozitës, Mustafa, Thaçi dhe Veseli po ashtu janë të veshur e duken saktësisht sikurse personazhet e filmit horror “Wrong Turn”.