Lajmet e fundit

Lëvizja Vetëvendosje, përmes një komunikate drejtuar mediave e ka quajtur frikacak kryeministrin Isa Mustafa.
Kjo deklaratë e tyre ka ardhur pasi djali i tij, Besnik Mustafa, ishte aksionar në një kompani servisimi automjetesh, ndërmarrje kjo e cila e kishte fituar tenderin për servisimin e veturës së tipit BMW të qeverisë. Ky tender e kapte shifrën prej 2900 euro.
Pas reagimeve të shumta nga opozita dhe shoqëria civile, ka ardhur edhe tërheqja e tender-ofertës nga kompania MAKCAR.
“Isa Mustafa e ka vetëm një tipar të dobishëm: është frikacak! Një ditë para protestës së 4 shkurtit kundër Jabllanoviqit e pat shkarkuar këtë të fundit. Sot, për shkak të trysnisë publike, djali i tij Besniku hoqi dorë nga tenderi për servisimin e BMË-ve të qeverisë i cili ia sillte atij 2.900 euro. Po sot, Kryeministri u frikësua të dal në debat televiziv për t’i përballur argumentet me z. Visar Ymeri”, thuhet në komunikatën e kësaj lëvizjeje.
Ata po ashtu, e kanë theksuar edhe marrëveshjen me Serbinë, për Themelimin e Komunave Serbe, duke i bërë thirrje popullit për anulimin e saj.
“I dashur popull, edhe Zajednica mund të ndalet”.