Lajmet e fundit

Kryetari i Shoqatës së Malazezëve të Kosovës, Sllobodan Vujiçiq, i ka shkruar një letër të hapur Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Në këtë letër Vujiçiq ka thënë se komuniteti malazez në Kosovë duhet të ketë të drejta të barabarta sikur që kanë shqiptarët në Mal të Zi, transmeton Klan Kosova.
“Duke pasë parasysh që partia që drejtoni ka dalë fituese e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë dhe poashtu njoftimin për mandatin dhe prezantimin e masës së reciprocitetit ndaj fqinjëve, në këtë frymë, ne ju ftojmë që ta mbani fjalën dhe të filloni me ata që janë më të cenueshmit”, thuhet në fillim të letrës.
“Ne presim që në bazë të reciprocitetit, komuniteti malazez në Kosovë të marrë urgjentisht të drejtat e njëjta sikurse shqiptarët në Mal të Zi. Kjo nënkupton, që përfundimisht të zgjidhet gjendja kushtetuese dhe e përgjithshme e përfaqësimit adekuat në Kuvendin e Kosovës, të përdorët gjuha, flamuri, të njihet 21 maji si ditë pushimi sipas kornizës së Ditëve të Flamurit të Malit të Zi dhe të miratohet Plani i Veprimit i strategjisë për integrimit dhe njohjen e komunitetit malazez si dhe zbatimi i plotë sipas parimeve pozitive të diskriminimit”.
“Ne besojmë që të keni qasje serioze ndaj pritjeve tona sikur dikush që është nga Mali i Zi, që e ka vendlindje dhe vend të origjinës”.