Lajmet e fundit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha sot se kërcënimet siç i quajti ai të cilat vijnë nga Prishtina e frikësojnë dhe shqetësojnë sepse mendon se ato nuk janë vetëm për "konsum të brendshëm" që po bëhet për shkak të fushatës që zhvillohet në Kosovë për zgjedhjet e 11 qershorit.
Kreu i shtetit serb i ka bërë thirrje BE-së dhe faktorëve të tjerë në botë që në mënyrë objektive dhe racionale t`i vlerësojnë veprimet e politikanëve në rajon, raporton Tanjug, transmeton Klan Kosova.
Ky reagim i tij erdhi pas deklaratës së kandidatit për kryeministër nga PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj sipas së cilës nuk do të zbatohet marrëveshja e Brukselit për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, pasi Gjykata Kushtetuese ka konstatuar antikushtetushmërinë e saj.
Vuçiq në një konferencë të përbashkët për shtyp, pas një takimi që pati në Beograd me komisionarin për zgjerim të Bashkimit Evropian, Johannes Hahn theksoi se e respekton dhe gjithmonë flet mirë rreth tij, si një njeri që e di këtë pjesë të botës, porse sipas tij duhet ta vërejë se " nëse ne do të flisnim ashtu me mungesë respekti dhe do të thoshim se me kërcënime do të zgjidhnim një pjesë të territorit siç bëjnë në Prishtinë, do të arrinin me dhjetëra mesazhe dënuese", transmeton Klan Kosova